Pamjet nga ajri të publikuara katër vjet më parë bënë xhiron e botës: më 26 shtator 2022, pranë ishullit Bornholm në Detin Baltik, sasi të mëdha metani dolën në sipërfaqen e ujit. Persona ende të paidentifikuar hodhën në erë tri nga katër linjat e gazsjellësve Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, që lidhin Rusinë me Gjermaninë.
Sulmi, i kryer shtatë muaj pas fillimit të luftës në Ukrainë, i dha fund një mega-projekti energjetik mes Gjermanisë dhe Rusisë, në të cilin të dyja palët kishin investuar miliarda euro. Projekti i garantonte Gjermanisë furnizim me gaz rus me çmime të favorshme. Megjithatë, që nga fillimi i luftës, Rusia e kishte reduktuar disa herë ose e kishte ndërprerë plotësisht rrjedhën e gazit përmes Nord Stream 1, ndërsa Nord Stream 2 ende nuk ishte vënë në funksion.
Mbështetja për Ukrainën vihet në pikëpyetje
Tani, shtetasi ukrainas Serhij K. ndodhet që nga e mërkura (14.10.2026) para drejtësisë në Hamburg. Në gusht 2025 ai u arrestua në Itali në bazë të një urdhër-arresti evropian të iniciuar nga Gjermania dhe më pas u ekstradua në Gjermani. Që nga 14 tetori ai duhet të përgjigjet para Gjykatës së Lartë Rajonale Hanseatike për rolin e tij të dyshuar në sulme.
Ai akuzohet si bashkëpunëtor për përdorimin e metodave të ndaluara të luftës përmes sulmit ndaj objekteve civile, shkaktimin e një shpërthimi me eksploziv, shkatërrimin e veprave infrastrukturore dhe pengimin e funksionimit të ndërmarrjeve publike.
Fakti që i akuzuari është ukrainas e bën çështjen veçanërisht delikate politikisht. Gjermania është një nga mbështetëset kryesore të Ukrainës, duke ofruar ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare, si edhe strehim për rreth 1,3 milion refugjatë.
Kritikët e ndihmës për Ukrainën, veçanërisht nga partitë AfD dhe BSW, kërkojnë përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë, rikthimin e furnizimeve me energji ruse dhe ndërprerjen e mbështetjes për Ukrainën. Disa prej tyre kanë sugjeruar se pas sabotimit mund të qëndrojë udhëheqja politike ose ushtarake ukrainase, megjithëse ende nuk ka prova përfundimtare dhe procesi gjyqësor sapo ka nisur.
Sahra Wagenknecht nga BSW deklaroi pas arrestimit të Serhij K. se është “absurde” që Gjermania shpenzon miliarda për Ukrainën pa kërkuar sqarime nga presidenti Volodymyr Zelensky. Ajo tha gjithashtu se mund të shtrohet çështja e kompensimeve.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, e cila kërkoi që qeveria gjermane të shqyrtojë mundësinë e kërkimit të dëmshpërblimeve nga Ukraina për dëmet dhe kostot e riparimit të gazsjellësit. Megjithatë, edhe ajo nuk paraqiti prova se Ukraina qëndron pas sulmit.
Kujt i shërbeu sabotimi?
Eksperti ushtarak Göran Swistek kishte deklaruar që në vitin 2023, se për shkak të kompleksitetit teknik, kostove dhe organizimit të nevojshëm, kishte shumë gjasa që pas sulmit të qëndronte një strukturë shtetërore. Sipas tij, një grup amatorësh nuk do të kishte qenë në gjendje ta kryente operacionin.
Megjithatë, ai e konsideronte pak të besueshme që ky shtet të ishte Ukraina, pasi Kievi nuk do të kishte interes të rrezikonte mbështetjen gjermane. Swistek nuk përjashtonte mundësinë e një piste të rreme të krijuar nga Rusia.
Nord Stream ka pasur kundërshtarë të shumtë që nga fillimi, përfshirë Poloninë, SHBA-në, shtetet baltike dhe veçanërisht Ukrainën pas agresionit rus të vitit 2022. Kjo e ka bërë pyetjen “Kujt i interesonte sabotimi?” një element qendror të hetimeve.
Henning Hoff nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme argumenton se duhet parë edhe konteksti historik. Sipas tij, Rusia po përdorte ndërprerjen ose kërcënimin me ndërprerje të furnizimit me gaz për të ushtruar presion të madh mbi Gjermaninë. Pas shpërthimit, kjo mundësi presioni u dobësua dhe çmimet e gazit ranë. Për këtë arsye, Hoff arrin në përfundimin se sabotimi “mund të konsiderohej në interes të Gjermanisë”.
Dilema e qeverisë gjermane
Nëse gjykata do ta shpallte Serhij K. fajtor dhe do të provonte lidhje me drejtuesit politikë ose ushtarakë të Ukrainës, qeveria gjermane do të përballej me një situatë të vështirë.
Nga njëra anë, shteti duhet të mbrojë pavarësinë e drejtësisë dhe të ndjekë penalisht aktet e sabotimit kundër infrastrukturës gjermane. Nga ana tjetër, Berlini dëshiron të shmangë instrumentalizimin e çështjes nga Rusia. Në çdo rast, presioni politik i brendshëm do të rritej ndjeshëm.
Politikani i CDU-së për çështjet e sigurisë, Roderich Kiesewetter, deklaron se edhe në rast se provohet një rol i Kievit, nuk sheh arsye për ndryshimin e kursit aktual. Sipas tij, mbështetja për Ukrainën i shërben interesave të sigurisë kombëtare të Gjermanisë dhe mbrojtjes së një Evrope të lirë.
A po i kushton Ukrainës mirëqenia sociale e Gjermanisë?
Debati për ndihmën ndaj Ukrainës po intensifikohet në Gjermani edhe pa pritur rezultatin e procesit gjyqësor. Mbështetja e opinionit publik për furnizimet me armë është dobësuar.
Në zgjedhjet rajonale të shtatorit në Gjermaninë Lindore, AfD fitoi terren të konsiderueshëm dhe në disa sondazhe kombëtare vazhdon të kryesojë para CDU-së së kancelarit Friedrich Merz.
AfD dhe BSW pretendojnë se ekziston një lidhje mes kursimeve të planifikuara në sektorin social dhe ndihmës për Ukrainën. Wagenknecht argumenton se miliarda euro po dërgohen në Ukrainë ndërkohë që në Gjermani shkollat përballen me probleme serioze. Bashkëkryetari i AfD-së, Tino Chrupalla, ka vënë në dyshim gatishmërinë e qytetarëve për të financuar në një shkallë kaq të madhe një vend që nuk është as anëtar i BE-së dhe as i NATO-s.
Kiesewetter e kundërshton këtë argument, duke paralajmëruar se ndalimi i mbështetjes për Ukrainën nuk do të sillte automatikisht më shumë para për shpenzimet sociale. Sipas tij, nëse Rusia do të arrinte sukses në Ukrainë dhe më pas do të zgjeronte agresionin ndaj vendeve të NATO-s, kostot e mbrojtjes do të ishin shumë më të larta.
Riparimi i Nord Stream-it mbetet pak i mundshëm
Për shkak të çmimeve të larta të energjisë, jo vetëm AfD dhe BSW, por edhe disa politikanë të CDU-së, si kryeministri i Saksonisë Michael Kretschmer, kanë kërkuar riparimin e Nord Stream-it dhe rifillimin e importeve të gazit rus.
Kretschmer e sheh gazsjellësin si pjesë të një pakete të mundshme negociatash me Rusinë, duke u pozicionuar kundër linjës zyrtare të CDU-së federale dhe politikës së sanksioneve të Bashkimit Evropian.
Kiesewetter e konsideron këtë qasje të rrezikshme. Sipas tij, Rusia e ka përdorur prej kohësh energjinë si instrument presioni gjeopolitik dhe një rikthim te varësia energjetike nga Moska do të dëmtonte interesat gjermane dhe do të rriste mosbesimin e partnerëve evropianë.
Edhe Henning Hoff e cilëson idenë si jorealiste. Sipas tij, nuk ka kthim në periudhën para luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ai thekson se gazi rus i konsideruar dikur i lirë i ka kushtuar Gjermanisë shumë shtrenjtë në planin strategjik dhe se Kremlini tashmë e përdor këtë çështje kryesisht si mjet propagande për të polarizuar politikën gjermane dhe për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën.
Megjithatë, rezultati i procesit gjyqësor në Hamburg pritet të ndikojë ndjeshëm në debatin publik mbi vazhdimin e mbështetjes gjermane për Ukrainën./k.m
