Last Updated on 06/03/2026 by Monika
Ditën e sotme, në Tiranë është zhvilluar mbledhja e komitetit drejtues të projektit EU4LawEnforcement.
Në një njoftim të bërë në rrjetet sociale nga misioni i BE në Shqipëri, bëhet me dije se pjesë e takimit ishin përfaqësues të Bashkimit Europian si dhe partnerëve ndërkombëtarë si dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, mes të cilëve dhe kreu i SPAK, Klodjan Braho.
Në fjalën e mbajtur në takim, ambasadori i BE, Silvio Gonzato u shpreh se funksionimi i këtij projekti është thelbësor për hetime financiare të suksesshme.
Gonzato u shpreh se EU4LawEnforcement, është gur themeli në vizionin e përbashkët për të çrrënjosur krimin e organizuar.
Njoftimi i bërë nga Ambasada e BE
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimi i hetimeve financiare dhe rikuperimit të pasurive, si edhe rritja e bashkëpunimit operacional mes institucioneve të zbatimit të ligjit, ishin në qendër të diskutimeve gjatë komitetit drejtues të projektit EU4LawEnforcement, të mbajtur sot në Tiranë.
Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve shqiptare përkatëse, të Bashkimit Evropian dhe të partnerëve ndërkombëtarë për të shqyrtuar ecurinë e projektit dhe për të diskutuar planin e ardhshëm të veprimit.
“Projekti EU4LEA ka një mandat të gjerë për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar. Me mbështetjen e tij, ne presim nga Shqipëria finalizimin e Strategjisë Kombëtare kundër Krimit të Organizuar dhe funksionalizimin e Zyrës së Rikuperimit të Pasurive. Funksionimi i kësaj zyre është thelbësor për hetime financiare të suksesshme. Ajo është një gur themeli i vizionit tonë të përbashkët për të çrrënjosur krimin e organizuar duke goditur interesat ekonomike dhe financiare të rrjeteve kriminale”, tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato./mxh
