Last Updated on 07/07/2025 by adminfjala
Kabinat pa leje në Theth, të cilat përplasën kryeministrin Edi Rama me prokurorinë e Shkodrës, janë në pronësi të Prek Kodrës.
Report Tv mëson se Prek Kodra është i njëjti person që në vitin 2021 në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit të Kosovës, kishte planifikuar për të vrarë me snajper kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe 2 politikanë të tjerë të njohur të Kosovës.
Ai është shpallur në kërkim edhe nga SPAK në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në akuzë për disa ngjarje kriminale.
Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër ndaj një ndërtimi pa leje në zonën e Thethit. Kreu i qeverisë bën me dije se bëhet fjalë për një ndërtim në zemër të Thethit, në shkelje të ligjit dhe akt kriminal, i cili edhe pse është referuar në Prokurori nga organet përkatëse, nuk është ndërmarrë asnjë veprim.
Kryeministri u shpreh se ka mbetur pa fjalë nga vendimi i prokurores Elsa Gjeli, e cila presupozohet që të mbrojë pasuritë e përbashkëta të vendit, dhe jo të lejojë krime të tilla mjedisore. Teksa lexon vendimin, kryeministri e cilëson si një “jerm” nga ana e prokurores, dhe që “është një pjesëz e përroi psikik të pashtershëm në formën e një vendimi të mos fillimit të çështjes penale”.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci ka ndarë foto nga ndërtimi pa leje, ku IKMT ka nisur prishjen, duke u shprehur “bollë me tokë e xanum”.
Në një përgjigje ndaj kryeministrit Rama, po sot, Prokuroria e Shkodrës thotë se ‘rasti nuk konsiderohet ndërtim pa leje’. Prokuroria thotë se strukturat kanë qenë kontejnerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi. m.p.