Last Updated on 26/10/2026 by Monika
Nga 1 janari 2027 akciza për duhanin do të rriten me 350 lekë për kg.
Paketa e re fiskale propozon rritje të akcizës për duhanin, duke parashikuar një skedulim të ri 7 vjeçar.
Ndryshimet në ligjin për akcizën të propozuar me paketën e re fiskale, propozojnë një rritje graduale të akcizës për produktet e duhanit, përmes një skedulimi që shtrihet deri në vitin 2033.
Në vitin e parë për grupin “purot dhe cigarillot që përmbajnë duhan, si dhe për cigaret” niveli i akcizës nga 7,750 lekë për kg do të arrijë në 8,100 lekë për kg.
Për vitin e parë, niveli i akcizës do të rritet me 350 lekë për kg apo 4.5% më shumë sesa 2026.
Rritja do të vijojë çdo vit duke arritur në 8,450 lekë/kg në vitin 2028, 8,800 lekë/kg në vitin 2029, 9,150 lekë/kg në vitin 2030, 9,500 lekë/kg në vitin 2031, 9,850 lekë/kg në vitin 2032 dhe 10,200 lekë/kg nga 1 janari 2033.
Në fund të periudhës, akciza për këtë kategori do të jetë 2,450 lekë për kilogram më e lartë se niveli prej 7,750 lekësh apo rreth 32%. më shumë.
Nga 1 janari 2030, skema parashikon një ndryshim të rëndësishëm: përveç komponentit specifik, do të aplikohet edhe një komponent proporcional me çmimin e shitjes me pakicë.
Konkretisht, nga viti 2030 propozohet një komponent specifik prej 9,150 lekësh për 1,000 cigare, plus 2% të çmimit të shitjes me pakicë. Në vitin 2031, komponenti proporcional rritet në 3%, në vitin 2032 në 4% dhe në vitin 2033 në 5%, ndërsa komponenti specifik mbetet në nivelin 9,150 lekë për 1,000 fije.
Kjo do të thotë se, përtej rritjes së komponentit specifik, barra e akcizës do të lidhet gjithashtu me çmimin e cigareve. Për rrjedhojë, efekti i skemës së re do të ndryshojë sipas çmimit të markës dhe mënyrës se si prodhuesit dhe importuesit do ta përthithin ose do ta përcjellin koston te konsumatori./mxh
