Parlamenti gjerman miratoi një ligj të debatueshëm mbi shërbimin ushtarak, me synimin për të zgjeruar Forcat e Armatosura dhe për të përmbushur objektivat e NATO-s, në një periudhë kur tensionet me Rusinë po rriten dhe vendet evropiane po forcojnë kapacitetet mbrojtëse.
Ligji, i cili kaloi pas muajsh diskutimesh, vendos një sistem të dyfishtë: shërbim të përmirësuar vullnetar dhe mundësinë e aktivizimit të rekrutimit të detyrueshëm nëse numri i të regjistruarve nuk mjafton. Aktivizimi i këtij rekrutimi do të kërkonte një votim të veçantë në Bundestag dhe, në rast se numri i të aftëve është më i madh se nevoja, përzgjedhja mund të bëhet me short, sipas deputetëve.
Vendimi solli protesta përpara parlamentit në Berlin, ku demonstruesit denoncuan atë që e cilësuan si rikthim gradual të detyrimit për shërbim ushtarak. Me pankarta ku shkruhej “Jo Detyrimit Ushtarak”, protestuesit argumentuan se ligji cenon liritë individuale.
Ministria e Mbrojtjes do t’i raportojë parlamentit dy herë në vit për ecurinë e rekrutimit, pasi ligji vendos objektiva ambicioze për zgjerimin e ushtrisë: rritjen e trupës aktive në 260 mijë ushtarë nga 183 mijë aktualisht dhe shtimin e rezervistëve në të paktën 200 mijë deri në vitin 2035.
Për herë të parë që nga pezullimi i detyrimit ushtarak në vitin 2011, të gjithë meshkujt e lindur pas 1 janarit 2008 do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore të fazuara, sipas kapaciteteve. Gjithashtu, si burrat ashtu edhe gratë 18-vjeçare do të pyeten për gatishmërinë për të shërbyer, megjithëse vetëm meshkujt janë të detyruar të përgjigjen./mxh
