Pamje të reja zbulojnë përmasat e shkatërrimit në godinën historike të bashkisë së Limoges në Francë, e cila u përfshi nga flakët të shtunën, më 17 tetor, pas një sulmi nga një grup personash të maskuar, gjatë trazirave që shpërthyen pas përfundimit të një proteste.
Fotografitë e publikuara të hënën tregojnë dëmet e rënda që zjarri i shkaktoi ndërtesës ikonike të shekullit XIX, e inauguruar në vitin 1883 dhe e konsideruar si një prej monumenteve më të rëndësishme arkitekturore të qytetit.
Një pjesë e madhe e çatisë është shembur, ndërsa është shkatërruar edhe kulla karakteristike me sahat. Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe në ambientet e brendshme të godinës.
Prefektura ka bërë të ditur se ndërtesa historike është dëmtuar rëndë. Prefekti Maurice Barate deklaroi se çatia është shembur, ndërsa dy të tretat e fasadës janë shkatërruar.
Ai e cilësoi ngjarjen si një “shkatërrim të trashëgimisë kulturore”, duke ia atribuar zjarrin një veprimi të qëllimshëm të personave që shkaktuan trazirat.
Ndërtimi i bashkisë së Limoges u bë i mundur falë pasurisë së trashëguar nga Alfred Fournier, një qytetar i pasur që vdiq pa lënë pasardhës.
Godina u ndërtua në vendin ku gjatë periudhës romake ndodhej tregu antik i qytetit. Projektimi iu besua arkitektit Charles-Alfred Leclerc, i cili u frymëzua nga bashkia e Parisit.
Ndërtesa ndërthur elemente arkitekturore të Rilindjes së vonë dhe të periudhës së Luigjit XIII. Fasada e saj është e ndërtuar me gur gëlqeror mbi një bazament graniti dhe zbukurohet me katër mozaikë që paraqesin figura të rëndësishme të historisë së Limoges.
Mes tyre janë artisti i smaltit Leonard Limosin, kancelari d’Aguesseau, revolucionari Pierre Vergniaud dhe marshalli i Perandorisë Franceze Jean-Baptiste Jourdan.
Ironikisht, godina historike ishte prej vitesh në qendër të një projekti restaurimi dhe mirëmbajtjeje. Sipas Fondacionit Francez të Trashëgimisë Kulturore, ndërtesa ishte përfshirë në një program restaurimi, ndërsa bashkia kishte bërë thirrje publike për donacione për financimin e punimeve.
Zjarri i fundit ka shkaktuar dëme të mëdha në këtë monument historik, duke vënë në rrezik një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë arkitekturore dhe kulturore të qytetit./ad
