Mbi tre mijë persona kanë humbur jetën gjatë protestave mbarëkombëtare në Iran, sipas të dhënave të publikuara nga aktivistë të të drejtave të njeriut.
Grupi me bazë në Shtetet e Bashkuara, HRANA, bëri me dije se ka verifikuar 3 mijë e 90 viktima, mes tyre 2 mijë e 885 protestues, ndërsa autoritetetet iraniane kanë raportuar arrestime të reja dhe një qetësim të përkohshëm të situatës në disa zona të vendit.
Sipas dëshmive të banorëve për Reuters, TeheranI ka qenë relativisht i qetë për disa ditë radhazi, megjithëse dronë janë parë duke patrulluar mbi qytet. Nuk janë raportuar protesta të mëdha, ndërsa banorwt kanë preferuar të mbeten anonimë për arsye sigurie.
Protestat shpërthyen në fund të dhjetorit për shkak të vështirësive ekonomike dhe u shndërruan shpejt në demonstrata masive kundër udhëheqjes klerikale të vendit.
Dhuna arriti kulmin javën e kaluar, duke u cilësuar nga opozita si trazirat më të rënda që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Qeveria iraniane ka fajësuar për dhunën persona të armatosur që, sipas saj, janw paraqitur si protestues, duke i cilësuar ata si “terroristë” dhe duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për nxitje dhe organizim të trazirave.
Ndërkohë, pas një ndërprerjeje gati tetëditore, është raportuar një rikthim i pjesshëm i shërbimit të internetit.
Në këtë klimë tensioni, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se autoritetet iraniane kishin anuluar ekzekutimet masive ndaj protestuesve, një pretendim që nuk është konfirmuar zyrtariisht nga Teherani. Irani nuk ka bërë të ditur se kishte në plan ekzekutime të tilla, as se ato janë anuluar.
Media të afërta me qeverinë iraniane raportuan arrestimin e disa personave të cilësuar si organizatorë të trazirave./mxh
