Last Updated on 11/06/2025 by adminfjala
Presidenti i SHBA, Donald Trump ka kritikuar sërish Guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom duke e akuzuar për dështimin në mbrojtjen e qytetarëve dhe zbatimin e ligjit gjatë protestave të fundit në shtet.
Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Trump u shpreh se agjentët federalë, të cilët i cilësoi si “patriotë të mëdhenj”, u sulmuan nga “një turmë e padisiplinuar nxitësish dhe protestuesish”, ndërsa, sipas tij, autoritetet lokale nuk reaguan në kohë për të mbrojtur forcat e rendit.
“Guvernatori i paaftë i Kalifornisë dështoi të ofronte mbrojtje në kohë kur punonjësit tanë u sulmuan” shkroi ai duke përmbyllur mesazhin me sloganin e tij të njohur: “Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri”.
Në një tjetër postim, Trump mbrojti vendimin e tij për të dërguar forca ushtarake në Los Angeles, duke theksuar se ndërhyrja e tyre ishte vendimtare për të shmangur një katastrofë më të madhe.
“Nëse ushtarët tanë nuk do të kishin ndërhyrë në Los Angeles, tani qyteti do të ishte djegur deri në themel, ashtu siç janë djegur shumë shtëpi të tjera,” tha ai. Presidenti shtoi se banorët janë “shumë me fat” që ai mori vendimin për të dërguar ndihmë federale. m.p.