Australia po synon të bëhet vendi i parë në botë që eliminon një formë kanceri – një objektiv ambicioz që mund të arrihet brenda një dekade. Bëhet fjalë për kancerin e qafës së mitrës, një nga sëmundjet më të përhapura tek gratë në nivel global, por edhe një nga të paktat që mund të parandalohet përmes vaksinimit.
Historia e Chrissy Walters e tregon qartë rëndësinë e këtij misioni. Pas lindjes së vajzës së saj, ajo u diagnostikua me një formë të avancuar të sëmundjes, e cila më vonë u përhap në trup dhe sot konsiderohet terminale. Vajza e saj, tashmë 12 vjeç, i përket brezit që Australia shpreson ta rrisë pa barrën e kësaj sëmundjeje, falë vaksinimit.
Një strategji me dy shtylla
Suksesi i Australisë bazohet në dy elementë kryesorë: vaksinimin masiv dhe kontrollin e rregullt.
Që nga viti 2007, vendi ka zbatuar një program kombëtar vaksinimi kundër HPV (Human Papillomavirus) – virusi që shkakton shumicën e rasteve të kancerit të qafës së mitrës. Vaksina Gardasil, e zhvilluar nga studiues australianë si Ian Frazer dhe Jian Zhou, ka qenë një hap revolucionar në këtë drejtim.
Programi u zgjerua më vonë edhe për djemtë, duke reduktuar më tej përhapjen e virusit. Paralelisht, Australia ka përmirësuar ndjeshëm edhe sistemin e kontrollit, duke kaluar në teste më të sakta për HPV, të cilat kryhen çdo pesë vjet.
A është në rrugën e duhur?
Sipas të dhënave më të fundit, Australia është shumë pranë objektivit. Shkalla e rasteve të reja ka rënë ndjeshëm dhe aktualisht qëndron rreth 6.3 raste për 100,000 gra. Objektivi i eliminimit përkufizohet si më pak se 4 raste për 100,000.
Një nga treguesit më premtues është fakti se në vitin 2021 nuk u regjistrua asnjë rast tek gratë nën 25 vjeç.
Ekspertë si Karen Canfell, një ndër figurat kryesore në kërkimet për këtë sëmundje, theksojnë se koncepti i eliminimit tashmë po bëhet realitet.
Megjithatë, rruga nuk është pa pengesa. Vaksinimi ka shënuar një rënie të lehtë, ndërsa komunitetet indigjene, përballen ende me barriera të mëdha në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore.
Për këto grupe, shkalla e sëmundjes është dy herë më e lartë dhe rreziku për vdekje trefish më i madh. Ekspertë si Natalie Strobel paralajmërojnë se eliminimi për këto komunitete mund të vonohet me më shumë se një dekadë.
Faktorë të tjerë përfshijnë hezitimin ndaj vaksinave pas pandemisë së Covid-19, kostot e shërbimeve mjekësore dhe mungesën e ndjekjes për fëmijët që humbasin vaksinimin në shkollë.
Një model për botën
Përpjekjet e Australisë po ndiqen nga vende të tjera si Suedia dhe Ruanda, të cilat kanë vendosur objektiva të ngjashëm për eliminimin e sëmundjes. Edhe Mbretëria e Bashkuar synon ta zhdukë këtë kancer deri në vitin 2040, megjithëse përballet me vështirësi në mbulimin e vaksinimit dhe kontrolleve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron këtë një hap historik, pasi është hera e parë që ekziston një strategji globale për eliminimin e një kanceri.
Për gra si Walters, lufta me sëmundjen është e gjatë dhe e lodhshme – me trajtime të vështira, kosto të larta dhe ndikim të madh emocional.
Por për brezat e rinj, perspektiva është ndryshe. Nëse trendi aktual vazhdon, Australia mund të bëhet vendi i parë në histori që eliminon një formë kanceri si problem shëndetësor publik.
Dhe kjo nuk është vetëm një arritje kombëtare, por një model që mund të shpëtojë miliona jetë në mbarë botën./et
