Last Updated on 31/08/2026 by Kesjana
Rreth 300 persona janë mbledhur në Paris për të kërkuar që aktivisti antifashist shqiptar, Rexhino Abazaj, i njohur si “Gino”, të mos ekstradohet në Gjermani. Abazaj kërkohet nga autoritetet gjermane për shkak të përfshirjes së dyshuar në një rast dhune ndaj një parade neonaziste të mbajtur në Hungari në shkurt të vitit 2023.
Ekstradimi i Abazajt në Gjermani u urdhërua nga gjykatat franceze në mesin e gushtit, pasi më herët ato kishin refuzuar ta dorëzonin drejtpërdrejt në Hungari për shkak të rrezikut të shkeljes së të drejtave themelore dhe kushteve çnjerëzore në burgje. Aktivisti shqiptar, i cili po përballet me rrezikun e një dënimi deri në 24 vjet burg në Hungari dhe deri në 10 vjet në Gjermani — pasi disa nga viktimat e pretenduara janë shtetas gjermanë — e ka cilësuar situatën e tij si një persekutim politik që synon të godasë lëvizjet antifashiste në mbarë Evropën.
Tubimi, i thirrur nga një komitet mbështetës në verilindje të Parisit, mblodhi së bashku organizata të ndryshme dhe zyrtarë, përfshirë deputeten e partisë LFI, Danièle Obono. Komiteti i Solidaritetit të Budapestit ka shprehur shqetësim se ekstradimi i tij në Gjermani mund të çojë në një transferim të mëvonshëm në Hungari, duke përsëritur rastin e aktivistes Maja T., e cila u dorëzua nga Gjermania dhe u dënua në shkurt me 8 vjet burg nga drejtësia hungareze. Ndërkohë, Abazaj ka apeluar vendimin në Gjykatën e Kasacionit, e cila do të përbëjë shkallën e fundit të gjykimit për fatin e tij./kb
