Primatët përdorin kontaktin fizik para vakteve për të parandaluar konfliktet dhe për të ndarë ushqimin. Sipas një studimi të ri, kjo është një strategji shumë e lashtë evolutive që ndihmon në ruajtjen e harmonisë brenda grupit.
“Përqafohuni dhe pajtohuni” mund të duket si një këshillë tipike njerëzore, por në të vërtetë historia e saj nis miliona vite më parë. Kjo është ajo që sugjeron një studim i botuar në revistën Proceedings of the Royal Society B: Biological Sciences, i cili tregon se te bonobot dhe shimpanzetë kontakti fizik pozitiv shërben për të ulur tensionet sociale dhe për të forcuar marrëdhëniet mes anëtarëve të grupit.
Studimi, i kryer nga Universiteti i Durhamit, përfshiu pesë grupe të ndryshme bonobosh dhe shimpanzesh gjysmë të egra, me gjithsej 116 individë. Ata u filmuan gjatë pesë minutave që paraprinin momentin kur do t’u jepej ushqimi. Vakti zhvillohej në një hapësirë të kufizuar dhe të përbashkët, një situatë që i ngjan konkurrencës natyrore për ushqim, siç ndodh kur një grup ushqehet me frutat e një peme të vetme.
Shkencëtarët analizuan pamjet për të parë se cilët individë preknin njëri-tjetrin, sa kohë kalonin duke përkëdhelur apo përqafuar shokët e grupit dhe nëse më pas ndanin ushqimin me ta.
Rezultatet ishin shumë të qarta. Si te bonobot, ashtu edhe te shimpanzetë, sa më shumë kohë që një individ kalonte në kontakt fizik pozitiv me të tjerët, aq më shumë kishte gjasa të ushqehej pranë tyre dhe të ndante ushqimin, në vend që të luftonte për ta marrë. Sjellja e dy llojeve të primatëve pasqyron edhe organizimin e tyre shoqëror. Bonobot jetojnë në shoqëri matriarkale, ku aleancat mes femrave janë thelbësore, ndaj edhe ato kalonin më shumë kohë duke përkëdhelur njëra-tjetrën para ngrënies. Ndërsa te shimpanzetë, ku lidhjet mes meshkujve janë më të rëndësishme, ishin pikërisht meshkujt ata që qetësonin dhe siguronin njëri-tjetrin përmes kontaktit fizik. Studiuesit vunë re gjithashtu se grupet ku kontakti fizik ishte më i shpeshtë kishin edhe numrin më të ulët të përleshjeve dhe konflikteve. Një nga zbulimet më interesante lidhet me shimpanzetë. Një nga gjestet më të zakonshme për të treguar besim ishte futja e gishtave në gojën e individit tjetër. Edhe pse ky është një veprim i rrezikshëm, ai shërben si një sinjal shumë i fortë se qëllimet janë paqësore dhe jo agresive.
Hapi i ardhshëm i studiuesve do të jetë të analizojnë mekanizmat fiziologjikë që e bëjnë kontaktin fizik kaq qetësues. Sipas tyre, ky mekanizëm i rëndësishëm për ruajtjen e paqes sociale nuk është vetëm njerëzor, por është trashëguar nga paraardhësit tanë të përbashkët me primatët dhe ekziston prej të paktën 6 milionë vitesh./ad
