Last Updated on 21/04/2026 by EL
Pas ngjarjeve të fundit tragjike, pyetja se sa të sigurta janë shtëpitë e shqiptarëve nga zjarri bëhet gjithnjë e më e mprehtë. Në një diskutim me ekspertë të fushës, përfshirë inxhinierë dhe specialistë të mbrojtjes nga zjarri, ngrihet alarmi për dështime sistemike që e lënë sigurinë e qytetarëve në mëshirë të fatit.
Sipas inxhinieres Dëshira Mena, drejtuese e Unionit të Inxhinierëve Shqiptarë, problemi nis që në themel: në fazën e projektimit të ndërtesave. Ajo thekson se mbrojtja nga zjarri nuk duhet parë si një element shtesë, por si një kusht themelor dhe i panegociueshëm përpara se të hidhet tulla e parë. “Në këtë pikë nuk ka tolerancë dhe nuk ka negocim. Nuk duhen bërë kompromise as me arkitektin, as me zhvilluesin, as me investitorin,” shprehet Mena, duke nënvizuar se standardet e sigurisë shpesh anashkalohen për interesa të tjera.
Ekspertja shpjegon se një projekt ndërtimi kalon në disa faza kyçe, nga projektimi, marrja e lejes, kolaudimi e deri te dorëzimi te banorët. Megjithatë, hallka e sigurisë rrezikon të këputet që në fillim. Sipas saj, një projekt i mirëfilltë i mbrojtjes nga zjarri është tepër kompleks për t’u hartuar dhe firmosur nga një individ i vetëm, siç ndodh shpesh në praktikën shqiptare.
“Projekti i mbrojtjes nga zjarri nuk është kaq i thjeshtë, është shumë kompleks. Nuk është një individ që mund ta bëjë atë,” pohon Mena. Ajo sqaron se duhet një ekip multidisiplinor ekspertësh të certifikuar, ku përfshihen arkitektë dhe inxhinierë strukturistë për të garantuar “mbrojtjen pasive” – mënyrën se si vetë struktura e godinës i reziston zjarrit dhe lejon evakuimin. Kjo duhet të plotësohet me “mbrojtjen aktive”, që përfshin sistemet e alarmit dhe shuarjes së zjarrit./ET
