Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka mbrojtur projektin e investimit që pritet të realizohet në Zvërnec, duke iu përgjigjur kritikave dhe protestave të organizatave ambientaliste që kundërshtojnë këtë iniciativë.
Gjatë një deklarate publike, Ismaili u ndal te shqetësimet e ngritura për ndikimin e projektit në Lagunën e Nartës dhe veçanërisht te flamingot dhe pelikanët që banojnë në këtë zonë. Sipas saj, pretendimet se investimi do të dëmtojë biodiversitetin nuk qëndrojnë, pasi vetë qeveria ka punuar për më shumë se një dekadë për të rikthyer ekosistemin e lagunës.
“Deri në vitin 2012 në Vlorë gjuhej peshku me dinamit. Si pasojë, nuk kishte mbetur pothuajse asnjë specie peshku dhe ishte dëmtuar rëndë flora dhe fauna detare. Në atë kohë nuk kishte as flamingo dhe as pelikanë në lagunë”, deklaroi ministrja.
Ajo theksoi se janë dashur 12 vite politika dhe nisma për mbrojtjen e mjedisit që zona të arrijë nivelin aktual të biodiversitetit. Për këtë arsye, sipas saj, është e pabazë të pretendohet se qeveria do të lejojë një projekt që cenon ekuilibrat natyrorë të krijuar ndër vite.
Ismaili shprehu habinë ndaj protestave të ambientalistëve, duke pyetur se ku kanë qenë ata në periudhën kur mjedisi në zonë po përballej me dëme serioze nga peshkimi i paligjshëm me dinamit.
Duke folur për përfitimet e investimit në Zvërnec, ministrja argumentoi se projekti do të kontribuojë në promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion turistik elitar dhe do të krijojë mijëra vende pune për banorët e Vlorës dhe zonave përreth.
“Ky është një investim që do ta bëjë Shqipërinë më të njohur në elitën e destinacioneve turistike dhe do të sjellë zhvillim ekonomik për gjithë rajonin”, u shpreh ajo.
Në përfundim, Ismaili deklaroi se kundërshtimi i një projekti të tillë zhvillimor përbën një qëndrim kundër interesave të vendit, duke theksuar se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit mund të ecin paralelisht./a.d
