Televizori është ndezur, edhe pse askush nuk po e shikon. Në sfond luan një podcast që askush nuk po e dëgjon me të vërtetë. Në makinë ndizet radioja automatikisht dhe, sapo mbërrijmë në shtëpi, kërkojmë muzikë.
Për disa njerëz, heshtja është pushim. Për të tjerë, është një hapësirë që duhet mbushur menjëherë.
Dhe sipas kërkimeve psikologjike, arsyeja nuk është gjithmonë thjesht dëshira për argëtim.
Kur zhurma bëhet “normalja” e trurit
Nëse gjatë gjithë ditës punojmë me muzikë, hamë duke parë televizor, ecim duke dëgjuar podcast dhe biem në gjumë me një serial në sfond, heshtja mund të fillojë të duket e pazakontë.
Në këtë rast, nuk është domosdoshmërisht se personi ka frikë nga heshtja. Thjesht është mësuar me një nivel të vazhdueshëm stimulimi.
Kur gjithçka fiket, ndryshimi bëhet i menjëhershëm.
Një rishikim shkencor i publikuar në *International Journal of Psychophysiology* në vitin 2024 vëren se muzika dhe stimulimi dëgjimor mund të ndikojnë në zgjimin, vëmendjen dhe performancën njohëse, por efekti ndryshon në varësi të llojit të tingullit dhe situatës.
Ndonjëherë nuk duam heshtjen, por atë që vjen me të
Këtu bëhet më interesante. Kur zhurma largohet, nuk zhduket edhe aktiviteti i trurit. Përkundrazi, mendimet mund të bëhen më të dukshme.
Një studim i publikuar në *PubMed* mbi rolin e vetmisë dhe heshtjes sugjeron se momentet e qëndrimit vetëm mund të krijojnë më shumë hapësirë për “mind-wandering”, vetëdije ndaj përjetimeve të brendshme dhe reflektim. Por pikërisht kjo aftësi për të qëndruar vetëm dhe me mendimet tona nuk është njësoj e lehtë për të gjithë.
Kjo mund të shpjegojë pse disa njerëz e ndezin televizorin sapo mbeten vetëm.
Në vend që të përballen me mendimet që dalin në heshtje, ata i japin trurit një stimul tjetër për t’u marrë me të.
Një podcast, një serial apo një video nuk kërkon domosdoshmërisht vëmendje të plotë. Por prania e një zëri mund ta bëjë ambientin të duket më pak bosh.
Televizori mund të japë edhe një ndjesi shoqërie
Kjo është veçanërisht e dukshme tek njerëzit që kalojnë shumë kohë vetëm.
Një studim i publikuar në The Gerontologist, që analizoi sjelljen e të rriturve të moshës së tretë, gjeti se televizioni shpesh përdorej në momentet kur njerëzit ishin vetëm dhe mund të funksiononte si një formë e lehtë shoqërie.
Ndërsa një studim më i fundit i publikuar në PubMed e përshkruan televizionin, në përvojat e disa grave të moshuara që jetonin vetëm, si një lloj “shoqëruesi të ndërmjetësuar”, që mund të ofronte rehati emocionale dhe një ndjesi pranie.
Pra, ndonjëherë nuk po shikojmë televizor për programin.
Po e ndezim sepse nuk duam që shtëpia të tingëllojë bosh.
Por zhurma mund të jetë edhe një mënyrë për t’u përqendruar
Jo çdo person që preferon tingujt në sfond po përpiqet të shmangë mendimet.
Disa njerëz përqendrohen më mirë me muzikë, tinguj shiu ose një zhurmë të qëndrueshme në sfond.
Një studim mbi vëmendjen zbuloi se muzika e zgjedhur nga vetë personi mund të rrisë përqendrimin dhe të ulë shpërqendrimin mendor gjatë detyrave që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.
Por këtu ka një kusht të rëndësishëm: jo çdo zhurmë ndihmon.
Në një eksperiment me 79 persona, studiuesit zbuluan se lloji dhe intensiteti i tingullit ndikonin në përqendrim dhe arsyetimin verbal. Zërat e kuptueshëm dhe zhurmat më intensive kishin më shumë gjasa të dëmtonin performancën, ndërsa muzika instrumentale rezultonte më pak shpërqendruese.
Kjo shpjegon pse dikush mund të punojë shumë mirë me muzikë, por të mos përqendrohet dot kur në sfond flasin njerëz.
Dhe teknologjia e ka bërë heshtjen gjithnjë e më të rrallë
Dikur, shumë momente të zakonshme kalonin pa ndonjë stimulim të veçantë.
Sot mund të dëgjojmë muzikë në dush, podcast gjatë ecjes, video gjatë ngrënies dhe një serial para gjumit.
Telefonat kanë bërë të mundur që në çdo moment të kemi diçka për të dëgjuar, parë apo lexuar.
Kjo nuk është domosdoshmërisht diçka negative. Por sa më shumë mësohemi me stimulimin e vazhdueshëm, aq më e pazakontë mund të duket mungesa e tij.
Dhe kjo është një nga arsyet pse një dhomë krejtësisht e qetë mund të duket papritur… shumë e zhurmshme në kokën tonë.
Atëherë, a është problem të mos e durosh heshtjen?
Jo domosdoshmërisht.
Nëse muzika ju ndihmon të punoni, podcast-i ju shoqëron gjatë rrugës ose një serial e bën më të këndshme një mbrëmje në shtëpi, nuk ka asgjë të pazakontë.
Por mund të jetë interesante të provoni diçka të thjeshtë: fikeni gjithçka për disa minuta dhe shikoni se çfarë ndodh.
Nëse ndiheni mirë, ndoshta thjesht preferoni tingujt.
Nëse ndjeni menjëherë nevojën për të kapur telefonin, ndezur televizorin ose gjetur diçka për të dëgjuar, mund të pyesni veten: “A po kërkoj argëtim, apo po përpiqem të mos dëgjoj mendimet e mia?”
Sepse ndonjëherë zhurma në sfond është thjesht zhurmë.
Por herë të tjera, është mënyra më e lehtë për të mos mbetur vetëm me atë që kemi në kokë./ad
