Last Updated on 02/04/2026 by EL
Një studim i ri ndërkombëtar, i publikuar në revistën prestigjioze “Nature Health”, ka nxjerrë në dritë të dhëna tronditëse mbi lidhjen mes pesticideve bujqësore dhe sëmundjeve neoplastike. Hulumtimi, i kryer nga gjigantë të shkencës si Instituti Pasteur dhe Universiteti i Tuluzës, zbulon se në zona me bujqësi intensive, rreziku i zhvillimit të kancerit është mesatarisht 150% më i lartë.
Ajo që e bën këtë studim unik dhe alarmant është fakti se studiuesit analizuan 31 kimikate, asnjë prej të cilave nuk klasifikohet zyrtarisht nga OBSH si kancerogjene për njerëzit nëse merren veç e veç.
Megjithatë, kur këto substanca bashkohen në mjedis, ato krijojnë një efekt kumulativ. Të dhënat treguan se popullatat në zonat rurale janë të ekspozuara njëkohësisht ndaj 12 pesticideve të ndryshme, gjë që shkatërron mbrojtjen qelizore të organizmit.
Sipas analizave molekulare të Institutit Pasteur, pesticidet prishin proceset që ruajnë identitetin e qelizave. Këto ndryshime ndodhin shumë kohë përpara se kanceri të shfaqet, duke vepruar si një “vrasës i heshtur”.
-
Mëlçia është organi që preket i pari, pasi shërben si filtri kryesor i metabolizmit të kimikateve.
-
Ekspozimi i hershëm i bën indet e njeriut shumë më të ndjeshme ndaj faktorëve të tjerë si infeksionet apo inflamacioni.
Rezultatet e hulumtimit hedhin poshtë metodat e vjetra të toksikologjisë, të cilat vlerësojnë vetëm një substancë më vete. Studiuesit bëjnë thirrje urgjente për rivlerësim të politikave të parandalimit, duke theksuar se:
-
Duhet llogaritur efekti i përzierjes së pesticideve dhe jo vetëm i njërit prej tyre.
-
Faktoret klimatikë (si përmbytjet apo nxehtësia ekstreme) përkeqësojnë shpërndarjen e këtyre helmeve në mjedis.
-
Komunitetet rurale dhe indigjene janë grupet më të rrezikuara.
Ky studim vjen si një thirrje zgjimi edhe për Shqipërinë, ku përdorimi i pesticideve në bujqësi mbetet një sfidë e madhe për kontrollin dhe sigurinë e jetës së qytetarëve./et
