Aktori i njohur turk Kıvanç Tatlıtuğ ka sqaruar arsyen pse vendosi të largohej nga rrjetet sociale, duke mbyllur llogaritë e tij në Instagram dhe X në muajin gusht. Vendimi i tij ngriti pikëpyetje te fansat, por duket se pas këtij veprimi nuk fshihet asnjë histori e veçantë.
I pranishëm në premierën e filmit “Organize İşler: Karun Hazinesi”, ku luan një nga rolet, Tatlıtuğ iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe shpjegoi se nuk kishte një arsye specifike pas vendimit të tij për t’u shkëputur nga rrjetet sociale.
“U mërzita, thjesht më erdhi ashtu dhe e çaktivizova. Nuk ka nevojë ta lidhni këtë me ndonjë histori dramatike. Dua ta bëj të qartë. Në vend të kësaj, shkova dhe bleva dy duzina libra dhe lexova shumë”, u shpreh aktori.
Tatlıtuğ, i cili kishte rreth 5 milionë ndjekës në Instagram, duket se ka preferuar të kalojë më shumë kohë larg botës virtuale, duke iu përkushtuar leximit.
Gjatë takimit me gazetarët, aktori foli edhe për incidentin e ndodhur në banesën e tij në Göktürk, ku u plagos shtetasi turkmen Bahadur Yangibayev. Ai theksoi se dëshironte që vëmendja të mbetej te premiera e filmit, por siguroi se do të qëndronte pranë tij në çdo aspekt.
“Ai nuk është punonjësi im dhe ne qëndrojmë pranë tij në çdo mënyrë, ligjërisht, moralisht dhe njerëzisht. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Do t’ju informoj për këtë çështje në ditët në vijim”, deklaroi Tatlıtuğ.
Aktori dha gjithashtu lajme të mira për gjendjen shëndetësore të Yangibayev, duke thënë se ai ishte shumë mirë.
Një tjetër çështje për të cilën Tatlıtuğ foli ishte reagimi i tij ndaj një gazetari në aeroport, i cili tentoi të fotografonte djalin e tij me telefon. Aktori kishte reaguar ashpër, duke shkaktuar diskutime në media, por së fundmi ka kërkuar falje për mënyrën se si ishte sjellë.
“Në atë orë të natës, dikush po fotografonte djalin tim me celular. Të gjithë e dini sa i ndjeshëm jam për këtë çështje. Mendova se ishte një qytetar i zakonshëm. Reagova ashtu sepse jam mësuar t’i shoh të gjithë me kamera. Nëse ju kam lënduar, ju kërkoj falje”, u shpreh ai.
Ndërkohë, në jetën personale, Kıvanç Tatlıtuğ dhe partnerja e tij përjetuan gëzimin e prindërimit për herë të parë më 15 prill 2022, kur mirëpritën në jetë djalin e tyre, Kurt Efe./mxh
