Një zhvillim i rëndësishëm në industrinë globale të bukurisë ka tërhequr vëmendjen e tregjeve financiare këtë të martë.
Aksionet e kompanisë spanjolle Puig, pronare e markave të njohura të parfumeve si Jean Paul Gaultier dhe Rabanne, u rritën me 16%, pas lajmit se ajo dhe gjiganti amerikan i kozmetikës Estée Lauder janë në bisedime për një bashkim të mundshëm.
Sipas raportimeve, marrëveshja mund të krijojë një grup të ri luksi në sektorin e bukurisë me vlerë rreth 40 miliardë dollarë, duke forcuar ndjeshëm pozitat në tregun global të parfumeve dhe duke konkurruar më drejtpërdrejt me rivalin francez L’Oréal.
Ky zhvillim vjen në një kohë sfiduese për industrinë, e cila po përballet me rënie të kërkesës në Kinë, frikëra për inflacionin dhe ulje të udhëtimeve për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Për Estée Lauder, marrëveshja do të përfaqësonte një mundësi për të zgjeruar portofolin e saj në segmentin e parfumeve dhe për të reduktuar varësinë nga tregu amerikan dhe ai kinez, ku shitjet kanë qenë të dobëta kohët e fundit.
Ndërkohë, Puig do të përfitonte nga shtrirja globale dhe fuqia financiare e partnerit amerikan.
Aktualisht, vlera e tregut e Puig vlerësohet rreth 10 miliardë euro, ndërsa Estée Lauder kap shifrën e afro 29 miliardë dollarëve.
Nëse realizohet, kjo marrëveshje do të ishte një nga lëvizjet më të mëdha në industrinë e bukurisë në vitet e fundit dhe mund të riformësojë konkurrencën globale në këtë sektor./mxh
