Përgatiti: Leonard Veizi
Në vitin 1908, vetëm dy vjeç, Aisin-Gioro Puji u ngjit në fronin e Dinastisë Çing dhe u shpall Perandor i Kinës. Emri i epokës së tij ishte, “Xuantong”, që merr kuptimin “shpallje e unitetit”. Babai i tij ishte Princi Caifon Çun II. Ai thuajse nuk do ta takonte dot më nënën e tij dhe u rrit nga eunukët. Ishte një fëmijë që nuk kuptonte asgjë nga pesha e fronit mbi të dhe që u bë simbol i fundit i një monarkie mijëravjeçare…
…Puji do të mbahej mend si Perandori i fundit i Kinës, sepse në vitin 1911, revolucionari i njohur San Jat Sen shpalli Republikën e Kinës, duke i dhënë fund Dinastisë Çing dhe epokës së perandorëve.
Pas abdikimit, Puji mbeti në Qytetin e Ndaluar, duke jetuar më shumë si një kujtim i gjallë i një bote që kishte marrë fund. Ai nuk kishte pushtet real, vetëm rikujtimin e një titulli që botës moderne nuk i duhej më.
Fati i tij ndryshoi sërish në vitet ’30, kur Japonia pushtoi Mançurinë dhe krijoi shtetin kukull Mançukuo. Japonezët e përdorën Puji-n në mënyrë propagandistike, duke e emëruar si “perandor” formal të Mançukuos, por në realitet ai ishte thjesht një udheheqës kukull, i kontrolluar deri në detaj nga qeveria e Tokios.

Fundi i luftës
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, Puji u kap nga sovjetikët dhe iu dorëzua më vonë qeverisë komuniste kineze. Për të nisën vitet e gjata të burgimit dhe riedukimit, ku regjimi kërkonte ta shndërronte ish-perandorin në një qytetar socialist të zakonshëm.
Pas lirimit, Puji jetoi një jetë krejt modeste. Filloi punë si kopshtar, pastaj si punonjës në një bibliotekë shtetërore në Pekin. Ai u përpoq me vështirësi të ambientoheshte me një shoqëri që nuk kishte më asnjë vend për të dhe për botën ku ai kishte lindur. Më vonë botoi edhe kujtimet e tij, të cilat regjimi i përdori si shembull të “transformimit” të ish-klasave sunduese.
Puji vdiq në vitin 1967, gjatë Revolucionit Kulturor, në një Kinë tërësisht të re, krejt të huaj për një ish-perandor.
“Perandori i Fundit”
Historia e tij u bë edhe më e njohur në mbarë botën falë filmit të famshëm “Perandori i Fundit” apo “The Last Emperor”. Film solli në ekran tragjedinë dhe paradoksin e jetës së një njeriu që lindi për të sunduar, por u rrit duke mos sunduar as veten e vet.

Filmi “Perandori i Fundit” i regjisorit italian Bernardo Bertoluçi është një epope filmike monumentale që rrëfen me një estetikë të rrallë dhe me një ndjeshmëri poetike jetën dramatike të Pujit, perandorit të fundit të Kinës. I xhiruar në vetë Qytetin e Ndaluar — diçka e paprecedentë në historinë e kinemasë, pasi Kina komuniste nuk e kishte lejuar kurrë më parë filmimin në këtë hapësirë të shenjtë — filmi ofron një përzierje të fuqishme mes madhështisë, brishtësisë dhe absurditetit të pushtetit. Bertoluçi ndërthur me mjeshtëri pamjet e luksit të oborrit perandorak me boshllëkun emocional të një fëmije të mbyllur pas mureve të arta, që rritet duke mos njohur realitetin jashtë tyre. Filmi ndjek udhëtimin e Pujit nga ngritja në fron si foshnjë, tek jeta e tij si udhëheqës kukull i Mançurisë nën kontrollin japonez, e deri te rënia e tij totale, burgosja, riedukimi dhe përfundimisht transformimi i tij në një qytetar të zakonshëm të Republikës Popullore. Me fotografi të mrekullueshme të Vitorio Storasës, me muzikën e paharruar të Raiçi Sakamotos dhe David Börnit, dhe me interpretimin hipnotik të Xhon Lloun, filmi arrin të kapë tërë tragjedinë njerëzore të një njeriu që ishte perandor vetëm në letër, por i burgosur në jetën e tij. Fitues i 9 çmimeve “Oscar”, përfshirë filmin më të mirë, regjinë dhe fotografinë, “Perandori i Fundit” mbetet një nga dramat historike më të rëndësishme dhe më të sofistikuara të kinemasë botërore, një reflektim i thellë mbi natyrën e pushtetit, identitetit dhe fatit njerëzor.
