Last Updated on 31/08/2026 by Monika
ARRSH ka njoftuar se në kuadër të vijimit të punimeve për zgjerimin e superstradës Tiranë–Durrës, në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2026, në intervalin kohor 23:00–05:00, do të ketë bllokim të përkohshëm të korsive të lëvizjes në të dyja drejtimet e aksit kryesor Tiranë–Durrës dhe Durrës–Tiranë.
Gjatë këtij intervali kohor, qarkullimi i mjeteve do të menaxhohet dhe devijohet, sipas skemës së mëposhtme:
Drejtimi Tiranë–Durrës
Mjetet do të devijohen nëpërmjet rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë lëvizjen në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet nëpërmjet rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.
Mjetet e rënda, veçanërisht kamionët
Për shkak të karakteristikave të qarkullimit dhe punimeve që do të kryhen, mjetet e rënda do të devijohen që nga nyja “Casa Italia”, duke vijuar nëpërmjet rrugës dytësore.
Drejtimi Durrës–Tiranë
Mjetet do të devijohen nëpërmjet mbikalimit Kashar–Thumanë, duke vijuar në rrugën dytësore në anën e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, nga ku do të rikthehen në autostradë.
Mjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën
Këto mjete do të sinjalizohen dhe orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, për të vijuar më tej në drejtimin përkatës.
Gjatë gjithë periudhës së ndërhyrjes do të jetë e pranishme sinjalistika e përkohshme rrugore, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë të lutur të ndjekin me përpikëri sinjalizimin dhe udhëzimet e personelit të angazhuar për menaxhimin e trafikut./mxh
