Last Updated on 01/04/2026 by Leonard
Nga Sejdin Cekani
1 prilli njihet si dita e gënjeshtrave. Një ditë kur njerëzit “mashtrojnë” njëri-tjetrin për humor, për lojë, për një buzëqeshje kalimtare.
Por, për disa, gënjeshtra nuk është shaka. Është profesion.
Prej shekujsh qarkullon një thënie e thjeshtë: “Mos u zër kurrë besë njerëzve që kanë pushtet”.
Sot, kjo thënie duket më aktuale se kurrë – sidomos kur mendon për ata që jo vetëm e mbajnë pushtetin, por e kërkojnë atë me çdo kusht.
Sepse e keqja dhe rreziku nuk qëndrojnë vetëm te pushteti. Rreziku fillon tek etja për pushtet. Prandaj dhe ka një bindje të hershme se miqësia me një njeri të pushtetshëm është e pasigurt, madje e rrezikshme. Dhe historia e ka provuar shpesh: njerëzit e dobët, kur marrin pushtet, bëhen të rrezikshëm.
Por më e rrezikshme se çdo gjë tjetër është bashkimi i injorancës me pushtetin. Në atë pikë, pushteti nuk është më shërbim, por bëhet sundim.
Nuk është më përgjegjësi, sepse bëhet privilegj.
Dhe nuk udhëhiqet më nga e vërteta apo dija, por nga dëshira për të nënshtruar të tjerët.
Pushteti nuk i përmirëson këta njerëz. Ai i zbulon dhe i nxjerr cullak. Sepse virtytet zbehen dhe veset thellohen.
Ndërkaq, premtimet shndërrohen në justifikime, ndërsa e vërteta në dekor.
Politikanët në fillim betohen. Pastaj premtojnë. Më pas gënjejnë.
Dhe më të pambrojturit, ata që kanë më shumë nevojë për mbrojtje, harrohen të parët.
Për politikanët, gënjeshtra nuk është më mjet, por është art.
Për ta, çdo ditë është 1 prill.
Një cikël i pafund ku mashtrojnë dhe, në mënyrë paradoksale, edhe mashtrohen.
Sot, shumica prej nesh i dallon më lehtë ata. Fytyrat e tyre nuk janë më maska, por janë si harta ku lexohen qartë gënjeshtrat, mashtrimet dhe pabesitë.
Prandaj u rrimë larg. Jo nga frika, por nga përvoja që kemi me ta.
Sepse besimi nuk është dhuratë, por përgjegjësi.
Dhe pushteti, shumë shpesh, ka treguar se nuk di ta mbajë fjalën.
Pikërisht për këtë, Abraham Lincolni thoshte: “Mund të mashtrosh gjithë njerëzit për njëfarë kohe, mund të mashtrosh disa njerëz për gjithë kohën, por nuk mund të mashtrosh gjithë njerëzit për gjithë kohën”.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse, pavarësisht gjithçkaje, e vërteta, herët a vonë, del gjithmonë në dritë.
