Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shpreh se ka urdhëruar trupat ushtarake të shtyjnë më tej në Liban, si pjesë e fushatës kundër militantëve të Hezbollahut të mbështetur nga Irani.
“Unë udhëzova ushtrinë që të zgjerojë manovrat e saj tokësore në Liban”, tha Netanyahu.
Deklarata e tij vjen ndërsa forcat izraelite pushtuan Kështjellën 900-vjeçare Beaufort, pranë qytetit jugor libanez Nabatiyeh, dhe ngritën atje flamurin izraelit.
Netanyahu e përshkroi kapjen si një ndryshim dramatik në luftën kundër Hezbollahut.
“Kapja e Beaufort është një fazë dramatike dhe një ndryshim dramatik në politikën që po udhëheqim. Ne kemi thyer barrierën e frikës”, tha ai, duke shtuar se Izraeli do të marrë kontrollin edhe të zonave të tjera të kontrolluara më parë nga Hezbollahu.
Fortesa Beaufort është e rëndësishme sepse ndodhet në një vend të lartë dhe ofron pamje të gjera mbi pjesën më të madhe të Libanit jugor.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se ushtarët do të mbajnë kontrollin e vendit si pjesë të një zone sigurie.
“Fushata nuk ka mbaruar ende. Ne të gjithë jemi të vendosur ta shtypim pushtetin e Hezbollahut”, tha ai.
Përparimi i fundit i Izraelit vjen pas përleshjeve të ashpra me grupin militant në fshatrat pranë fortesës.
Një armëpushim në konflikt ka qenë në fuqi që nga mesi i prillit, por të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të shumta që atëherë.
Forcat izraelite më parë pushtuan kështjellën Beaufort të ndërtuar nga kryqtarët, e njohur edhe si Qalaat al-Shakif, në vitin 1982 dhe e mbajtën atë deri në tërheqjen e tyre nga Libani në vitin 2000./mxh
