Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se drafti i një plani paqeje i diskutuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës mund të shërbejë si bazë për marrëveshje të ardhshme për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, por theksoi se nëse kjo nuk ndodh, Rusia do të vazhdojë luftimet.
Gjatë një konference për shtyp, Putin tha se Moska ka marrë përmes kanaleve diplomatike një listë me 28 pika, e formuluar pas bisedimeve të tij me negociatorët amerikanë para vizitës në Alaskë. Sipas tij, SHBA-ja dhe Ukraina më pas i grupuan këto pika në katër komponentë kryesorë, të cilat u paraqitën gjatë bisedimeve në Gjenevë.
“In general, ne pajtohemi që kjo mund të jetë baza e marrëveshjeve të ardhshme,” u shpreh Putin, duke shtuar se disa çështje kërkojnë ende diskutim të detajuar dhe gjuhë diplomatike.
Ai tha se palët amerikane po marrin parasysh qëndrimet ruse, të diskutuara si para ashtu edhe pas samitit të Anchorage, dhe se një delegacion amerikan do të vizitojë Moskën javën e ardhshme për bisedime të mëtejshme.
Putin theksoi se Rusia është e gatshme të japë garanci sigurie për Evropën, nëse kjo kërkohet.
Ndërkohë, ai ripërsëriti se presioni i vazhdueshëm ndaj Rusisë për të ndalur luftimet nuk është realist. “Trupat ukrainase duhet të tërhiqen nga territoret që mbajnë aktualisht, dhe atëherë luftimet do të ndalen. Nëse nuk largohen, ne do ta arrijmë këtë me mjete të armatosura,” deklaroi ai, duke shtuar se forcat ruse po avancojnë me ritme më të shpejta.
Putin gjithashtu vuri në dyshim legjitimitetin e udhëheqjes ukrainase, duke argumentuar se kjo e bën juridikisht të pamundur nënshkrimin e një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë me Kievin. Për këtë arsye, sipas tij, çdo marrëveshje duhet të njihet nga komuniteti ndërkombëtar dhe të pranojë fitimet territoriale të Rusisë.
Sa i përket kritikave ndaj të dërguarit amerikan Steve Witkoff, i cili u akuzua se ishte i anshëm pro Rusisë gjatë bisedimeve, Putin i quajti pretendimet “absurde”./mxh
