Një operacion i gjerë antidrogë, i zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve italiane, zvicerane dhe SPAK-ut, ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, që trafikonin lëndë narkotike nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Mes personave të arrestuar rezulton edhe një oficer i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, I.Haxhiaj, i cili akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, “shtetasi I.H, në cilësinë e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, i ngarkuar për kryerjen e veprimeve hetimore, u ka zbuluar personave të dyshuar të dhëna të akteve procedurale që përbënin ‘sekret hetimor’.”
Hetimet treguan se oficeri kërkonte përfitime monetare të parregullta në këmbim të informacioneve të ndaluara, duke i favorizuar personat nën hetim. Gjykata e Posaçme ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore e ekzekutoi vendimin më 27 nëntor 2025.
SPAK konfirmon se procedimet penale janë hetuar në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore me Prokurorinë Antimafia në Brescia dhe autoritetet e Zvicrës. Sipas SPAK, “hetimet e përbashkëta me autoritetet italiane zbuluan veprimtarinë e një grupi kriminal, i cili ka pasur qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike” nga Amerika e Jugut në Europë, përmes rrugëve detare, dhe më pas drejt Italisë me mjete të tonazhit të rëndë. m.p.
