Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia ka rritur ndjeshëm prodhimin e armëve që nga nisja e luftës në Ukrainë.
Gjatë një mbledhjeje kushtuar zhvillimit të industrisë ruse të mbrojtjes për dhjetë vitet e ardhshme, Putin tha se në vitin 2025, krahasuar me vitin 2022, prodhimi i armëve më të kërkuara për atë që Moska e quan “operacioni ushtarak special” është rritur disa herë.
Sipas tij, prodhimi i raketave dhe artilerisë është rritur me 9.6 herë, pajisjet e komunikimit dhe të luftës elektronike me 12.5 herë, mjetet e mbrojtjes personale me 17.9 herë, ndërsa armatimet konvencionale dhe municionet janë rritur më shumë se 22 herë.
Putin i cilësoi këto shifra si rezultat të punës së industrisë ushtarake ruse, duke theksuar se kapacitetet prodhuese janë forcuar ndjeshëm për të mbështetur nevojat e ushtrisë.
Deklaratat vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon dhe Rusia përballet me sanksione të gjera ndërkombëtare, ndërsa Moska synon të sigurojë qëndrueshmëri afatgjatë në sektorin e mbrojtjes./mxh
