Last Updated on 01/07/2026 by EL
Rusia ka mbyllur një pjesë të kufirit të saj me Bashkimin Europian. Me një dekret të firmosur nga kryeministri Mikhail Mishustin, qeveria ruse ka pezulluar për një afat të pacaktuar qarkullimin e personave, automjeteve, mallrave dhe dërgesave tregtare në shtatë pika të rëndësishme kufitare me Finlandën, Estoninë dhe Letoninë.
Vendimi u publikua mbrëmjen e së martës në Moskë dhe ka hyrë në fuqi që nga dita e sotme. Ai përfshin rajonin e Leningradit, dy pika kufitare në Kareli, kalimet mes Shën Petersburgut dhe Finlandës, rajonin e Pskovit, si edhe kufirin mes Rusisë dhe Letonisë. Pikat e mbyllura janë ndër nyjet më të rëndësishme të transportit hekurudhor mes Rusisë dhe Bashkimit Europian.
Në dekret nuk jepet asnjë arsye për këtë masë. Dokumenti përbëhet vetëm nga vendimi administrativ për mbylljen e pikave kufitare, pa shpjeguar se çfarë e ka diktuar këtë lëvizje.
Megjithatë, vendimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Europian vazhdojnë të jenë të tensionuara për shkak të luftës në Ukrainë.
Një nga mundësitë është që Kremlini të jetë duke testuar një bllokim më të gjerë të kufijve në të ardhmen. Një masë e tillë mund të përdoret për të kufizuar largimin e qytetarëve rusë jashtë vendit në rast të një mobilizimi të ri të pjesshëm ushtarak, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe humbjet e ushtrisë ruse mbeten të larta.
Një tjetër skenar lidhet me presionin ekonomik. Përmes pikave kufitare me Finlandën kalojnë sasi të konsiderueshme plehrash kimike ruse, të cilat nuk janë përfshirë në sanksionet perëndimore. Ndalimi i këtij tranziti mund të krijojë vështirësi për sektorin bujqësor në disa vende europiane, duke shtuar presionin ekonomik ndaj vendeve që kufizohen me Rusinë.
Pasojat nuk mund të kufizohen vetëm te Bashkimi Europian. Mbyllja e këtyre korridoreve prek edhe rrugët tregtare drejt porteve të Baltikut, të cilat përdoren nga Kazakistani dhe Uzbekistani për eksportet e tyre drejt tregut europian përmes rrjetit hekurudhor rus.
Nëse këto rrugë mbeten të bllokuara, Moska mund të rrisë ndikimin ekonomik edhe mbi këto dy ish-republika sovjetike, duke i detyruar të negociojnë sipas kushteve që vendos Kremlini. E gjithë kjo lidhet me strategjinë që Rusia vazhdon ta justifikojë në kuadër të asaj që e quan “Operacioni ushtarak special” në Ukrainë./ET
