Që prej kur jetojmë me qentë, miqtë tanë më besnikë? Një zbulim i ri shkencor po ndryshon rrënjësisht përgjigjen. Gjetja e ADN-së më të vjetër të qenit në botë sugjeron se lidhja mes njeriut dhe qenit ka nisur rreth 16 mijë vite më parë, shumë përpara lindjes së bujqësisë.
Zbulimi u bë në sitin arkeologjik të Pınarbaşı në Turqi, ku studiuesit analizuan fragmente të një kafke qeni të gjetur në një varr të lashtë. Analizat treguan se ky ekzemplar daton rreth 15.800 vite më parë dhe përfaqëson ADN-në më të hershme të qenit të sekuencuar ndonjëherë. Kjo provon se në atë periudhë qeni ishte tashmë një specie e dallueshme biologjikisht nga ujku.
Deri më tani, provat gjenetike për domesticimin e qenve datonin rreth 11 mijë vite më parë. Por të dhënat e reja, të publikuara në revistën Nature, e shtyjnë këtë proces të paktën 5 mijë vite më herët, duke e vendosur në periudhën e Paleolitit të sipërm.
Një tjetër studim i publikuar gjithashtu në Nature hedh dritë mbi mënyrën se si jetonin këta qen të hershëm. Duke analizuar mbetjet e 216 kanidëve të lashtë në të gjithë Evropën nga Gjermania në Itali e deri në Mbretërinë e Bashkuar shkencëtarët zbuluan se qentë ishin të përhapur gjerësisht edhe përpara se njerëzit të fillonin të merreshin me bujqësi.
Por ndoshta detaji më domethënës vjen sërish nga Pınarbaşı: disa këlyshë janë gjetur të varrosur së bashku me njerëzit. Ky fakt sugjeron se marrëdhënia mes tyre nuk ishte vetëm praktike, si për gjueti apo roje, por edhe emocionale. Studiuesit besojnë se edhe 16 mijë vite më parë, njerëzit ndoshta edhe fëmijët krijonin lidhje të forta me këta kafshë, njësoj si sot.
Nga ana gjenetike, zbulimi është edhe më befasues. Edhe pse nga pamja e jashtme këta qen mund të ngjanin ende me ujqit, analizat tregojnë se mes tyre ekzistonte tashmë një diferencë e madhe gjenetike. Në fakt, këta qen të lashtë ishin më të afërt biologjikisht me racat moderne si braku apo terrieri, sesa me ujqit.
Kjo histori lidhet ngushtë edhe me migrimet njerëzore. Kur fermerët e parë u shpërngulën nga Lindja e Afërt drejt Evropës, ata nuk morën me vete vetëm farëra dhe teknika të reja bujqësore, por adoptuan edhe qentë e gjuetarëve-mbledhës vendas. Falë këtij ndërveprimi, gjenet e këtyre qenve të lashtë kanë mbijetuar deri në ditët e sotme, duke qenë pjesë e qenve që jetojnë sot në shtëpitë tona.
Megjithatë, një mister mbetet ende i pazgjidhur. Shkencëtarët nuk kanë arritur të identifikojnë saktësisht popullatën e ujqve nga e cila u ndanë qentë. Mendohet se kjo ndodhi gjatë kulmit të epokës së fundit të akullnajave, rreth 24 mijë vite më parë, por vendi dhe momenti i saktë i këtij “takimi të parë” mbeten ende të paqartë.
