Last Updated on 13/10/2026 by EL
Qeveria greke rrit me 30% ndihmën për ngrohjen dhe subvencionon naftën për ngrohje në pikat e shitjes, në përpjekje për të lehtësuar barrën financiare të familjeve nga rritja e çmimeve të energjisë.
Greqia do të rrisë me 30% subvencionin për ngrohjen, ndërsa do të ndërhyjë drejtpërdrejt edhe në çmimin e naftës për ngrohje, përmes një skeme subvencionimi në pikat e shitjes.
Njoftimi u bë nga ministri grek i Financave dhe presidenti i Eurogrupit, Kyriakos Pierrakakis, i cili theksoi se masat synojnë të mbështesin familjet në kushtet e krizës energjetike dhe rritjes së kostos së jetesës.
“Prioriteti ynë është të lehtësojmë presionin mbi familjet. Për këtë arsye, po ndërhyjmë me dy masa mbështetëse për naftën e ngrohjes: një subvencion të drejtpërdrejtë në pikën e shitjes, që do të ulë menjëherë çmimin, dhe një rritje prej 30% të subvencionit për ngrohjen krahasuar me vitin e kaluar”, deklaroi Pierrakakis.
Sipas tij, skema e re do të përfshijë qindra mijëra familje në të gjithë vendin. Detajet e mëtejshme për zbatimin e masave pritet të bëhen publike të mërkurën nga ministritë përgjegjëse.
Vendimi vjen në një kohë kur Greqia i ka kërkuar Bashkimit Europian të lehtësojë rregullat për shpenzimet publike, në mënyrë që qeveritë të kenë më shumë hapësirë financiare për të mbështetur familjet dhe bizneset përballë kostove në rritje të energjisë.
Edhe vende të tjera europiane po ndërmarrin masa për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve. Gjermania vendosi një ulje të përkohshme të taksës së karburantit me 17 cent për litër për benzinën dhe naftën, ndërsa Spanja zgjati afatin e zbatimit të uljeve ekzistuese të taksave mbi karburantet. Masat në të dyja vendet do të jenë në fuqi deri në fund të dhjetorit.
