Last Updated on 24/05/2026 by EL
Mijëra qytetarë u mblodhën këtë të diel në qendër të Madridit për të protestuar kundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve të banesave dhe qirave, një problem që po prek gjithnjë e më shumë familjet spanjolle.
Protestuesit marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit me pankarta dhe thirrje në mbrojtje të së drejtës për strehim. Një nga sloganet më të forta ishte: “Duam fqinjë, jo turistë”, duke shprehur pakënaqësinë ndaj ndikimit të turizmit masiv në tregun e banesave dhe rritjes së kostos së jetesës.
Çështja e strehimit konsiderohet një nga sfidat më të mëdha politike për qeverinë e kryeministrit Pedro Sanchez, ndërsa Spanja po i afrohet zgjedhjeve të vitit 2027.
Protesta vjen në një periudhë tensionesh politike në vend, vetëm një ditë pasi dhjetëra mijëra qytetarë dolën sërish në rrugët e Madridit për të protestuar kundër qeverisë Sanchez, mes akuzave për korrupsion dhe kritikave ndaj mënyrës së drejtimit të vendit./et
