Last Updated on 17/08/2026 by Anisa
Institucioni i drejtuar nga Endrit Shabani bën me dije se i ka dhënë zgjidhje ankesës së një qytetari, i cili mbahej padrejtësisht në burg prej më shumë se nëntë muajsh dhe u lirua vetëm falë ndërhyrjes së Avokatit të Popullit.
I dënuari me iniciale I. K., ngrinte shqetësimin se nga autoritetet kompetente nuk i ishte llogaritur në kohën e vuajtjes së dënimit periudha e qëndrimit në paraburgim në shtetin grek, si dhe ulja e përfituar nga amnistia e dhënë në vitin 2024.
Avokati i Popullit nisi menjëherë një hetim të thelluar administrativ. Në përfundim u provua qartësisht se shtetasi I. K. kishte kryer 9 muaj e 18 ditë burgim të padrejtë. Kjo shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut kishte ardhur si pasojë e mosveprimit dhe mosllogaritjes së periudhës së paraburgimit në Greqi nga ana e prokurores A. P.
Gjatë zhvillimit të hetimit administrativ, prokurorja në fjalë urdhëroi menjëherë lirimin e të dënuarit. Meqenëse pasojat e kësaj shkeljeje kishin cenuar drejtpërdrejt lirinë e qytetarit, Avokati i Popullit nuk u mjaftua vetëm me lirimin e tij.
Institucioni i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) fillimin e hetimit disiplinor.
Pak ditë më parë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë njoftoi Institucionin e Avokatit të Popullit se ndaj magjistrates dhe ndaj prokurores është propozuar masa disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”.
Ky rast rikonfirmon përkushtimin e pakushtëzuar të Avokatit të Popullit për të garantuar që asnjë qytetar të mos vuajë cenimin e lirisë apo të drejtave të tij nga pakujdesia ose shkeljet e zyrtarëve publikë, si dhe për të siguruar llogaridhënien e plotë të çdo institucioni në vend.
Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të personave të privuar nga liria mbetet një nga shtyllat qendrore të punës së Institucionit të Avokatit të Popullit dhe ky rast i fundit dëshmon rëndësinë e mbikëqyrjes administrative dhe vendosmërinë për të mos lejuar asnjë shkelje të së drejtës për liri./ad
