Last Updated on 17/08/2026 by Anisa
Përvojat kulturore po kthehen në prioritetin kryesor të udhëtarëve në mbarë botën, duke lënë pas kërkimin për aventura dhe luks, sipas raportit më të fundit “Skift State of Travel 2026”, i cili analizon tendencat që po ndryshojnë mënyrën se si njerëzit udhëtojnë dhe zgjedhin destinacionet. Në Azi, 50% e udhëtarëve klasifikohen si turistë të interesuar për përvoja kulturore, krahasuar me 32% që preferojnë aventurën dhe 30% që kërkojnë eksperienca luksoze. E njëjta tendencë vihet re edhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Amerikën e Veriut dhe Evropë, ku përkatësisht 42%, 39% dhe 36% e udhëtarëve vendosin kulturën dhe përvojat autentike në qendër të udhëtimit.
Ushqimi dhe gastronomia janë ndër aktivitetet më të kërkuara, me 71% të të anketuarve që thanë se kanë më shumë gjasa të shpenzojnë për eksperienca kulinare, shumë më tepër se për aventura dhe natyrë (48%), art, kulturë dhe histori (42%), evente dhe argëtim (36%), shëndet dhe mirëqenie (36%) apo sport (24%). Raporti e cilëson vitin 2026 si “vitin e inteligjencës”, për shkak të rritjes së përdorimit të inteligjencës artificiale në turizëm. Rreth 62% e udhëtarëve në mbarë botën janë të njohur me mjetet e AI për planifikimin e udhëtimeve, ndërsa 81% e udhëtarëve me të ardhura të larta që i njohin këto mjete i kanë përdorur për të organizuar një udhëtim. Megjithatë, teknologjia nuk po zëvendëson kërkesën për autenticitet. 43% e të anketuarve thonë se përvojat janë elementi më i rëndësishëm i një udhëtimi.
Një rol gjithnjë e më të madh po luajnë edhe rrjetet sociale. 63% e udhëtarëve i përdorin për të zbuluar destinacione dhe për të marrë frymëzim, 56% për të gjetur eksperienca, restorante dhe aktivitete, ndërsa 45% për të krahasuar hotele dhe akomodime. Rrjetet sociale po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në popullaritetin e destinacioneve. Një shembull është transmetimi 12-orësh i IShowSpeed gjatë turit në Karaibe, i cili tërhoqi rreth 400 milionë shikues. Pas transmetimit, kërkimet për Shën Martinin u rritën me 70%, ndërsa ato për Guadelupën dhe Dominikën u rritën përkatësisht me 50% dhe 35%. Por kjo prirje ka edhe anën negative: destinacionet e panjohura mund të kthehen brenda pak javësh në pika turistike të mbipopulluara. Për këtë arsye, turistët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt destinacioneve alternative, më pak të njohura dhe më pak të mbipopulluara, duke kërkuar përvoja autentike në vend të destinacioneve tradicionale dhe tashmë të tejmbushura.
