Londra mori vendin e parë falë një sërë hapjesh të reja, përfshirë V&A East Storehouse.
Londra sapo është shpallur qyteti më i mirë në botë për kulturë nga Time Out.
Bazuar në të dhënat nga më shumë se 24 mijë banorë qytetesh të anketuar në mbarë botën, kryeqyteti britanik mori vlerësime të larta falë skenës së tij teatrore, si edhe muzeve dhe galerive.
Nga 20 qytetet kryesore, nëntë janë në Europë, përfshirë gjashtë në dhjetëshen e parë.
“Nga Londra në Lisbonë, çdo qytet që u përfshi në renditjen e këtij viti krenohet me muze legjendarë dhe një skenë të gjallë të arteve performuese, krahas një kalendari kulturor të mbushur plot me ekspozita, festivale dhe evente,” tha Grace Beard, redaktore e udhëtimeve në Time Out.
“Ekspertët lokalë të Time Out kanë përmbledhur pikat kryesore kulturore që nuk duhen humbur këtë vit, duke u ofruar udhëtarëve një udhëzues të qartë se ku të shkojnë dhe çfarë të shohin në vitin 2026.”
Qytetet më të mira në botë për kulturë
Nr. 1: Londra
Ekspertët e Time Out theksuan një sërë hapjesh të reja si arsyen pse Londra u zgjodh qyteti numër një për kulturë.
Këtu përfshihen V&A East dhe V&A East Storehouse, si edhe rihapja e Muzeut të Londrës në vendndodhjen e re në Smithfield më vonë gjatë këtij vit.
Ndër pikat e tjera të rëndësishme kulturore janë West End-i, netët falas të komedisë dhe oferta e gjerë e muzikës live, që përfshin gjithçka nga xhazi avangardë deri te death metal-i.
Rreth 90% e banorëve vendas vlerësuan skenën teatrore, 88% dhanë vlerësime pozitive për muzetë dhe 81% të tjerë pëlqyen galeritë e qytetit.
Nr. 2: Parisi
Kryeqyteti francez ishte i vetmi qytet në listë që mori vlerësim perfekt për kulturën, me 100% të banorëve që vlerësuan skenën lokale.
Ekipi i Time Out përmendi ekspozitat e mëdha të ardhshme, si Matisse në Grand Palais dhe 100 vjet Art Deco në Musée des Arts Décoratifs, si arsye të forta për ta vizituar qytetin këtë vit.
Nr. 4: Berlini
“Të shkosh kundër rrymës është ajo që e përcakton kulturën në Berlin, dhe qyteti mbetet një vatër e shprehjes artistike radikale edhe në vitin 2026,” shkroi Time Out për kryeqytetin gjerman në renditjen e tij.
Këtë mund ta përjetoni në evente si Rave the Planet, Christopher Street Day, 1 Maji, Karneval der Kulturen dhe Fête de la Musique.
Arsye të tjera për ta vizituar janë Berlinale, Berlin Art Week, Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, si edhe festimet e 200-vjetorit në Ishullin e Muzeve.
Më shumë se gjysma e të anketuarve e përshkruan skenën artistike si të përballueshme, ndërsa 70% veçuan muzetë e qytetit si veçanërisht të shkëlqyer.
Nr. 8: Madridi
Kryeqyteti spanjoll është “një nga destinacionet kryesore kulturore të Evropës”, falë vendeve si Prado dhe Reina Sofía, si edhe festivaleve të mëdha.
Nga të anketuarit, 91% e vlerësuan skenën e artit dhe kulturës si të mirë ose të jashtëzakonshme, 90% vlerësuan muzetë dhe 84% përmendën teatrin.
Nr. 9: Firence
E njohur për artin dhe arkitekturën e Rilindjes, Firence — “muzeu në qiell të hapur” — ka qenë prej kohësh një destinacion i domosdoshëm për dashamirësit e historisë.
Ekspozitat e mëdha të këtij viti, përfshirë retrospektivën e Mark Rothko në Palazzo Strozzi, janë arsyeja kryesore për ta vizituar ose rivizituar këtë vit.
Rezultatet e sondazhit treguan se 78% e banorëve i duan muzetë dhe 63% galeritë, ndërsa 72% thanë se skena e artit është e përballueshme.
Nr. 10: Krakovi
Krakovi i Polonisë mund të jetë qyteti i dytë më i madh në vend, por ka shumë për të ofruar kur bëhet fjalë për kulturën.
Aty mund të eksploroni arkitekturën baroke, gotike dhe të Rilindjes në Qytetin e Vjetër, të zbuloni skenën artistike në Muzeun Czartoryski dhe Kalanë Wawel, si edhe të merrni pjesë në evente si Festivali i Kulturës Hebraike.
Sipas sondazhit, 86% e banorëve vendas e vlerësuan skenën e artit dhe kulturës, ndërsa 79% thanë se ajo është e përballueshme.
Jashtë dhjetëshes së parë, Kopenhaga u rendit e 13-ta, Athina e 15-ta dhe Lisbona e 20-ta.
Renditja e plotë e 20 qyteteve më të mira për kulturë, sipas Time Out
- Londra
- Parisi
- Nju Jorku
- Berlini
- Kejp Tauni
- Melburni
- São Paulo
- Madridi
- Firence
- Krakovi
- Taipei
- Marrakesh
- Kopenhaga
- Guadalajara
- Athina
- Kajro
- Pekini
- Jaipur
- Chiang Mai
- Lisbona./ Euronews-A.D
