Në qytetin e Lezhës është ndezur zyrtarisht atmosfera e festave të fundvitit, me ceremoninë e ndezjes së dritave shumëngjyrëshe që mblodhi qindra qytetarë në sheshin kryesor. Ndriçimi festiv, dekoret e vendosura në të gjithë qytetin dhe muzika plot gjallëri krijuan një mjedis të ngrohtë e të gëzueshëm për familjet dhe fëmijët që pritën me padurim momentin simbolik të nisjes së festimeve.
Pjesë e mbrëmjes festive ishin edhe panairet e artizanatit dhe kulinarisë lezhjane, ku prodhues vendas ekspozuan punimet e tyre tradicionale, gatime karakteristike dhe produkte bio, duke i shtuar aktivitetit ngjyra, aromë dhe traditë. Vizitorët patën mundësi të shijonin specialitete të zonës, ndërsa artizanët sollën krijime të punuara me dorë që pasqyruan kulturën e pasur vendase.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, mori pjesë në ceremoninë e ndezjes së dritave dhe uroi të gjithë qytetarët për festat e fundvitit, duke e konsideruar këtë moment si një simbol të shpresës, bashkimit dhe gëzimit për komunitetin lezhjan.
Me këtë ceremoni, Lezha çel zyrtarisht sezonin e festave, i cili pritet të shoqërohet nga një sërë eventesh kulturore, artistike dhe argëtuese që do të gjallërojnë qytetin përgjatë gjithë periudhës festive.
