Radhë të gjata automjetesh dhe mungesë karburanti janë regjistruar këtë të diel në disa vende të Azisë, ndërsa rritja e çmimeve dhe pasiguria në tregjet energjetike kanë nxitur drejtuesit e mjeteve të furnizohen me karburant.
Në provincën Samut Sakhon në Tajlandë, shumë drejtues makinash dhe kamionësh u përballën me mungesë nafte, pasi disa pika karburanti mbetën përkohësisht pa furnizime, kryesisht me naftë. Situata u krijua pas një vale të madhe furnizimi nga qytetarët, të cilët po përpiqen të mbushin depozitat përpara rritjes së mundshme të çmimeve.
Qeveria tajlandeze kishte ngrirë çmimin e naftës për 15 ditë në fillim të marsit, një masë që pritet të përfundojë të hënën. Në disa pika karburanti është vendosur edhe kufizim për furnizimin, ku kamionët lejohen të furnizohen deri në një vlerë të caktuar, ndërsa bidonët deri në 50 litra.
Ndërkohë në Sri Lanka, autoritetet kanë vendosur menjëherë kufizime për furnizimin me karburant për të ruajtur rezervat e vendit. Sipas masave të reja, makinat dhe mjetet me tre rrota mund të furnizohen deri në 15 litra, autobusët deri në 60 litra, ndërsa kamionët deri në 200 litra në javë.
Qeveria ka rikthyer gjithashtu sistemin e kontrollit me kod QR për të shmangur blerjet e paligjshme dhe grumbullimin e sasive të mëdha të karburantit.
Megjithëse shumë drejtues mjetesh e mirëpritën këtë sistem për të frenuar abuzimet, ata shprehen se kufizimet po ndikojnë drejtpërdrejt në jetesën e tyre, ndërsa rritja e çmimeve dhe pritjet e gjata në radhë po e bëjnë edhe më të vështirë situatën./mxh
