Gjashtë ushtarakë amerikanë humbën jetën pas rrëzimit të një avioni ushtarak mbi Irak. Lajmi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, i cili të shtunën, më 14 mars, bëri publik edhe identitetin e viktimave.
Sipas Pentagonit, ushtarakët ndodheshin në bordin e një avioni cisternë të tipit KC-135, i përdorur për furnizim me karburant në ajër, i cili po mbështeste operacionet ajrore të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.
Aksidenti ndodhi gjatë një misioni operacional dhe përfshiu edhe një tjetër avion. Autoritetet ushtarake amerikane theksuan se rrëzimi nuk ishte pasojë e sulmeve armike apo e zjarrit miqësor. Shkaqet e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta dhe janë nën hetim.
Tre prej viktimave shërbenin në Wing-un e 6-të të Furnizimit Ajror me Karburant, të stacionuar në bazën ajrore MacDill pranë Tampës në Florida. Ata janë: majori John A. Klinner, 33 vjeç nga Auburn i Alabamës; kapitenia Ariana G. Savino, 31 vjeçe nga Covington në shtetin e Uashingtonit; dhe rreshterja teknike Ashley B. Pruitt, 34 vjeçe nga Bardstown në Kentaki.
Tre ushtarakët e tjerë i përkisnin Wing-ut të 121-të të Furnizimit Ajror të Gardës Kombëtare Ajrore në bazën Rickenbacker në Columbus të Ohajos. Viktimat janë: kapiteni Seth R. Koval, 38 vjeç nga Mooresville në Indiana; kapiteni Curtis J. Angst, 30 vjeç nga Wilmington në Ohio; si dhe rreshteri teknik Tyler H. Simmons, 28 vjeç nga Columbus në Ohio.
Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit, ndërsa familjarët e viktimave janë njoftuar për humbjen e tyre.
Ndërkohë, Pentagoni ka shprehur ngushëllimet për familjet e ushtarakëve të ndjerë dhe ka vlerësuar shërbimin e tyre në misionet ushtarake të Shteteve të Bashkuara./mxh
