Last Updated on 04/12/2025 by Kesjana
Forcat izraelite kanë vrarë shtatë palestinezë më 3 dhjetor, përfshirë dy fëmijë, në Gaza, ndërsa kanë njoftuar se do të lejojnë hapjen e pikës kufitare të Rafah vetëm për daljen e banorëve nga territori i përfshirë nga lufta.
Vrasjet e së mërkurës janë pjesë e shkeljeve të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të dhe ndodhën pasi ushtria izraelite akuzoi luftëtarët e Hamasit për sulm ndaj katër ushtarëve në jug të Rafah, pranë kufirit me Egjiptin.
Hamas e dënoi sulmin e fundit si krim lufte dhe kërkoi ndërhyrjen e Egjiptit, Katarit dhe SHBA-ve për të ndaluar ushtrinë izraelite. Sipas autoriteteve palestineze, forcat izraelite kanë shkelur armëpushimin të paktën 591 herë që nga 10 tetori, duke vrarë të paktën 360 palestinezë dhe plagosur 922 të tjerë.
Izraeli njoftoi se kufiri i Rafah do të hapet vetëm për daljen e banorëve të Gazës drejt Egjiptit, duke kërkuar “miratim sigurie”. Lëvizja ka ngjallur frikën e shpërnguljes së përhershme të palestinezëve, një ide e mbështetur nga disa ministra të qeverisë izraelite.
OKB-ja kërkoi hapjen e plotë të Rafah, duke theksuar se njerëzit duhet të kenë lirinë të lëvizin dhe të kthehen nëse dëshirojnë, dhe se ndihma humanitare duhet të hyjë pa pengesa.
Nga ana tjetër, Presidenti Donald Trump tha se armëpushimi po funksionon dhe se plani i tij për Gaza do të vijojë me fazën e dytë, që përfshin krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese, një qeveri teknokratike palestineze dhe çarmatimin e Hamasit. Hamas, megjithatë, ka kundërshtuar fazën e dytë, duke deklaruar se nuk do të dorëzojë armët sa të vazhdojë okupimi izraelit i territoreve palestineze./kb
