Partia Demokratike ka zhvilluar pasditen e sotme një tryezë për Portin e Durrësit. Gjatë fjalës së tij në takim, kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama pavarësisht projekteve dhe gjeostrategjisë së portit të Durrësit, ka vendosur që ta shkatërrojë këtë port, për të ndërtuar atë në Porto Romano.
“Në mënyrë të papritur dhe jashtë çdo lloj përfytyrimi del një ditë prej ditësh Edi Rama dhe u thotë shqiptarëve se në portin e Durrësit do të ndërtojë Dubain e 1001 netëve. Do të zhduk portin e Durrësit. Do ta shtrojë në një port marine, ku do ndërtojnë në trojet publike të atij porti 12.000 apartamente, 12.600 apartamente, 6 hotele me pesë, gjashtë yje, pishina të standardeve më të larta dhe një marinë për 200 jahte. Dhe do ndërtojë një port tjetër në Porto Romano, i cili do të ndërtohet nga, do të ndërtohet nga privati. Cilido që njihet me këtë projekt konstaton se qytetarëve shqiptarë po ju plaçkitet pasuria publike numër një. Nuk kemi asnjë pasuri tjetër publike ne që të kapë vlerën e portit të Durrësit”, tha Berisha.
Ndër të tjera shtoi se porti në Porto Romano do të ndërtohet nga taksat e qytetarëve. Ai u shpreh se shqiptarët do të paguajnë edhe “1 miliardë euro nga taksat e tyre për të ndërtuar një port kotec”.
“Porti i ri do të ndërtohet nga paratë publike, nga taksat e qytetarëve. Pra, përveçse plaçkiten shqiptarët me një vlerë që shkon rreth 4 miliardë euro porti, me territorin e me të gjithë e të gjitha, duhet të paguajnë edhe 1 miliardë euro nga taksat e tyre për të ndërtuar një port kotec, një port sa 1/4 e portit ekzistues, të cilit në vitin 2013, ne e lamë projektin dhe kompanitë e mëdha të kontraktuara për ta thelluar, për ta thelluar në masën që të pranonte anije 50.000 tonshe.
Dhe ishte kompani nga më të fuqishmet gjermane e porteve që kishte fituar tenderin dhe që do të kryente punimet. Tani, pra duhet që shqiptarët jo vetëm të dorëzojnë Edi Ramës për Dubain e tij të 1001 netëve, portin e Durrësit, por duhet të paguajnë edhe 1 miliardë euro ose dhe më shumë, 1.2 miliardë euro për të ndërtuar një port kotec sa 1/4 e portit të Durrësit në Porto Romano.
Nuk ka, e kam, e kam deklaruar dhe e deklaroj se kjo është një çështje, një rëndësie kombëtare të jashtëzakonshme. Nuk ka kryer kush një vjedhje të tillë, një plaçkë të tillë ndaj shqiptarëve, asnjë pushtues, asnjë perandori, as kërkush tjetër. Nuk ka shkelmuar kush si kjo qeveri interesa jetike strategjike të shqiptarëve”, u shpreh Berisha./mxh
