Ish-ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, ka komentuar në emisionin “Now” në Euronews Albania deklaratën e përbashkët të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike lidhur me vendimin e gjykatës speciale për ish-krerët e UÇK-së.
Vengu u shpreh se deklarata e përbashkët ka, nga pikëpamja juridike, të njëjtën vlerë si një rezolutë. Sipas tij, qëllimi është angazhimi i institucioneve shqiptare për të bërë të dëgjohet ajo që ai e cilësoi si “e vërteta e shqiptarëve”.
“Besoj se sot, pas këtij vendimi, duhet të lexojmë edhe heshtjen e disa aleatëve përballë këtij vendimi. Disa nuk janë shprehur fare, ndërsa ka pasur edhe nga ata që e kanë përshëndetur vendimin.
Ne duhet të kemi një qasje mbarëshqiptare lidhur me ish-krerët e UÇK-së. Kjo deklaratë synon të hartojë një program pune. Nuk mjafton të kemi të vërtetën me vete në një botë ku ajo nuk dëgjohet, por duhet të angazhojmë institucionet që të bëjnë të mundur që e vërteta jonë të dëgjohet.
Koha kur ka ndodhur lufta, koha kur është përgatitur raporti i Dick Marty-t dhe koha e sotme janë shumë të ndryshme”, deklaroi Vengu.
I pyetur lidhur me arsyet përse PS nuk ka votuar një rezolutë për gjenocidin serb dhe për akuzat se kryeministri Edi Rama “flirton” me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Vengu i cilësoi këto akuza si të padrejta.
Sipas tij, në deklaratën e përbashkët flitet qartë për veprime gjenocidale të regjimit serb.
“Nuk ka asnjë kompleks këtu. Fuqia juridike është ekzaktësisht e njëjtë e deklaratës dhe rezolutës”, u shpreh Vengu./ad
