Gazetari Alban Dudushi i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” nga Grida Duma, komentoi përplasjet e fundit brenda Partisë Socialiste.
Dudushit shprehu se e gjithë Partia Socialiste e di që Rama është “kali fitues” i tyre dhe se është ai që i mban në pushtet, ndaj dhe sipas tij përplasjet e brendshme bëhen vetëm për vendin e dytë, apo për pushtetin që ata mund të krijojnë kundrejt njëri-tjetrit, jo kundrejt Ramës.
“Ne kemi qenë bashkë kur ftove Braçen, kur u vetshpall për Tiranën dhe e ndjemë edhe në atë që tha Braçe atë ditë, që patjetër që ka pakënaqësi që vijnë me pushtetin dhe janë pakënaqësi që vijnë me grupe që ngrihen dhe ulen brenda partisë e kështu më radhë.
Por nga ajo që kuptova atë ditë me Braçen, unë shikoj të paktën një zë që ai ka dashur të amplifikojë, është pakënaqësia që ekziston të një pjesë e bazës së PS. Qoftë edhe për shkak të atyre pjesëve të keqqeverisjes që mendojnë që ka partia. Por edhe për lëvizjet që ka patur Rama duke shkuar te kundërshtari për të marrë personazhe që i vendos në administratë, me idenë e një lloj bashkëqeverisjeje tjetër të çuditshme që në këtë rast është me PD.
Por që brenda ka përplasje, është evidente, del herë pas here, me Spiropalin kohët e fundit dhe me personazhe të tjerë ndër vite. A është pakënaqësi që shkon drejtpërdrejt te Rama? Kjo mbete pikëpyetje për sa kohë që po ti pyesësh socialistët të gjithë dhe rastin e fundit e kemi me sekretarin e përgjithshëm të PS, që Ramën e shohin si kalin fitues të tyre, vazhdon të jetë njeriu që ju jep fitoren dhe i mban në pushtet.
Ndaj në këtë lloj kuptimi përplasjet në PS ekzistojnë, por për nivelin e dytë, pra kush afrohet më tepër te pushteti i qendrës, apo kush krijon më shumë pushtet në krahasim me tjetrin, jo në krahasim me Edi Ramën. Kështu e shikoj unë. Edhe sepse sot PS e Edi Ramës nuk është e njëjta me atë para 2013 apo para 2005”, tha Dudushi.
