Një takim i kryeministrit Edi Rama me gazetarin dhe kritikun amerikan të arkitekturës, Fred Bernstein, është bërë publik përmes një fotografie të shpërndarë në rrjetet sociale. Por ajo që tërheq vëmendjen nuk është vetëm prania e gazetarit amerikan në Tiranë, por mënyra se si ai e ka përshkruar kreun e qeverisë shqiptare.
Bernstein, i njohur për shkrimet e tij mbi arkitekturën dhe dizajnin, përfshirë kontributet në gazetën prestigjioze amerikane “The Neë York Times”, ka përdorur termin “embattled” për Edi Ramën, një fjalë që në këtë kontekst mund të përkthehet si “nën presion” ose “i përballur me vështirësi politike”.
Fotografia është publikuar në Facebook nga Bernstein ku shfaqet i ulur pranë kryeministrit Rama, ndërsa është vetë gazetari që tregon se takimi është bërë në Tiranë. Ai nuk jep shumë detaje nga biseda e tyre, por mjaftohet duke thënë:
“Unë në Tiranë, Shqipëri, këtë mëngjes me kryeministrin Edi Rama, nën presion. Folëm kryesisht për arkitekturën. Shpjegimet do të vijnë”, shkruan Bernstein në postimin e tij.
Gazetari amerikan nuk ka dhënë detaje të tjera për përmbajtjen e bisedës apo arsyen konkrete të takimit, por ka lënë të kuptohet se do të publikojë më shumë informacion në vijim./ad

