Deputeti dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po shkatërron çdo institucion të vendit, duke i çuar drejt degradimit.
Në një dalje televizive, Mediu tha se sjellja e Ramës tregon se kreut të qeverisë nuk i intereson jo vetëm politika e brendshmë dhe e jashtme, por as siguria e Shqipërisë.
Sa i përket protestave kombëtare të opozitës, Mediu u shpreh se tubimet duhet të vijojnë, për ta kthyer Shqipërinë në rrugën që kërkohet edhe nga Bashkimi Europian.
“Protesta nuk duhet marrë si rast i shkëputur, është protestë ndaj qeverisë Rama, që ka shkatërruar çdo institucion të vendit. Rama po degradon institucionet e shtetit shqiptar. Rama sillet si monark. Ai nuk pyet për asgjë, as për sigurinë kombëtare, as për politikën e brendshme e as të jashtme. Kilometri i fundit është për demokratët, por jo vetëm, është për të gjithë qytetarët. Ka një ndërgjegjësim, që jetojmë në një qeveri, që ka afera tërësisht skandaloze. Kjo ka bërë që Gjermania dhe BE-ja të reagojë. Protestat duhet të vazhdojnë, që Shqipëria ta kthejmë në binarët e BE-së. Kjo qeveri nuk ka asgjë të përbashkët me interesat e Shqipërisë. Reagimi shoqëror duhet të lidhet me shpresën për ndryshim”,-tha Mediu./mxh
