Me nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, banorët e Gazës po e presin këtë periudhë në mes të rrënojave dhe shkatërrimit, duke u lutur në mbetjet e xhamive të shkatërruara ose në hapësira të improvizuara me plastmasë dhe dru.
Në qytetin e Gazës, kupola e shkatërruar e xhamisë Al Hassaina qëndron mbi një grumbull rrënojash. Oborri i saj, ku dikur mblidheshin besimtarët për falje, sot është kthyer në strehë për familjet e zhvendosura, të cilat flenë dhe gatuajnë mes gurëve të shembur. Litarë me rroba të varura shtrihen mes kolonave të thyer.
“Madje as nuk mund ta shikoj xhaminë,” thotë Sami Al Hissi, 61 vjeç, vullnetar në këtë xhami, ndërsa qëndron mbi rrënojat ku dikur rreshtoheshin besimtarët krah për krah në lutje. “Dikur faleshim të qetë. Takonim miqtë dhe të afërmit tanë. Tani nuk ka më as miq, as të afërm, as xhami,” shprehet ai.
Fëmijët ngjiten mbi kupolat e plasaritura, ndërsa gratë mbledhin rrobat e varura mes kolonave të shkatërruara. Sipas Al Hissit, gjatë Ramazanit xhamia mbushej me mijëra besimtarë, edhe nga lagje të tjera si Shujaiya dhe Daraj. “Tani mezi ka vend për njëqind persona. Gjithçka është rrënojë,” thotë ai.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të 7 tetorit 2023, kur persona të armatosur të Hamasit kaluan kufirin dhe, sipas autoriteteve izraelite, vranë 1,200 persona. Që prej asaj kohe, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, ofensiva izraelite ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima palestineze.
Zyra mediatike e qeverisë së Gazës, e drejtuar nga Hamasi, deklaron se 835 xhami janë shkatërruar plotësisht dhe 180 të tjera janë dëmtuar pjesërisht. Sipas tyre, janë goditur edhe kisha, si dhe janë shkatërruar dhjetëra varreza. Nga ana tjetër, Izraeli thotë se shënjestron infrastrukturë militante dhe akuzon grupet e armatosura palestineze se veprojnë në zona civile, përfshirë xhamitë – akuza që Hamasi i mohon.
Për shumë banorë, humbja është njëkohësisht shpirtërore dhe komunitare. “Do të donim ta prisnim Ramazanin në një atmosferë tjetër,” thotë Khitam Jabr, e zhvendosur dhe aktualisht e strehuar në ambientet e një xhamie. “Nuk kemi më xhami ku të falemi. Tani falemi në çadra, ndërsa xhamitë janë kthyer në strehimore.”
Megjithë mungesën e materialeve dhe shkatërrimin e madh, banorët po përpiqen të rindërtojnë pjesë të vogla të xhamive ose të krijojnë hapësira të reja lutjeje me materiale të ricikluara, si plastmasë nga serat bujqësore dhe dërrasa druri. Sipas zyrtarëve vendorë, qindra hapësira të tilla lutjeje janë ngritur për t’u dhënë besimtarëve mundësinë të falen gjatë muajit të shenjtë.
Në mes të rrënojave, Ramazani në Gaza po shënohet me dhimbje, por edhe me përpjekje për të ruajtur besimin dhe ndjenjën e komunitetit./MXH
