Last Updated on 25/11/2025 by Monika
Rena Douru, përgjegjëse për politikën e jashtme në SYRIZA, ka sulmuar ashpër qeverinë greke të Kyriakos Mitsotakis pas publikimeve të mediave sipas të cilave në revistën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë është botuar një artikull që lidhet drejtpërdrejt me teorinë nacionaliste të “Shqipërisë së Madhe”.
Sipas Dourut, artikulli, i botuar me rastin e 147-vjetorit të Kongresit të Berlinit, shoqërohej me një hartë ku “zona të gjera të territorit grek paraqiten si ‘zona historike shqiptare’, brenda asaj që quhet ‘Shqipëria Kombëtare’”. Ajo e cilëson këtë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe provokim të hapur.

Deputetja e SYRIZA-s akuzon qeverinë Mitsotakis për “dobësim të rolit ndërkombëtar të Greqisë” dhe për një politikë të jashtme të pasigurt, pa strategji kombëtare. Ajo pretendon se qeveria nuk shfrytëzon pozicionin e Greqisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nuk ushtron presion në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht për çështjet e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të minoritetit grek.
Douru kritikon gjithashtu faktin që Greqia “nuk guxon të vendosë as kabllon e interkoneksionit elektrik nga frika e reagimit të Turqisë”, duke shtuar se vendi “po pëson humbje të njëpasnjëshme, nga Shqipëria deri në Libi”.
Ajo përfundon duke thënë se Greqia, për shkak të politikës së qeverisë, është bërë “e pafuqishme, e margjinalizuar, një vend që i merr goditjet nga aleatët, armiqtë dhe miqtë”.
