Last Updated on 24/11/2025 by Monika
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, iu përgjigj deklaratave të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, lidhur me kushtet e BE-së për një plan paqeje në Ukrainë. Përmes një mesazhi në Telegram, Zakharova kundërshtoi disa nga pikat kryesore të von der Leyen, duke sjellë shembuj dhe argumente nga perspektiva ruse.
Së pari, ajo kritikoi deklaratën se “kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë”, duke përmendur rastin e Kosovës, ku sipas saj Perëndimi imponoi ndryshimin e kufijve të Serbisë kundër vullnetit të popullit serb.
Së dyti, ajo kundërshtoi idenë se Ukraina nuk duhet të kufizojë forcat e saj të armatosura. Zakharova tha se kjo është çështje e një shteti sovran dhe solli shembullin e marrëveshjes “2+4” të vitit 1990, e cila përcaktoi reduktimin e ushtrisë gjermane.
Së treti, ajo vuri në dyshim pretendimin për rolin “qendror” të BE-së në sigurinë dhe paqen e Ukrainës, duke pyetur retorikisht se kur ka qenë BE garant i paqes në këtë vend.
Sa i përket “destinacionit evropian” të Ukrainës, Zakharova rikujtoi vendimin e ish-presidentit Janukoviç për pezullimin e marrëveshjes së integrimit evropian dhe akuzoi Perëndimin për nxitjen e protestave të Majdanit në vitin 2014, të cilat sipas saj çuan në një “grusht shteti antikushtetues” dhe në krijimin e një “regjimi neonazist” në Kiev.
Në përfundim, ajo akuzoi BE-në dhe SHBA-të për ndërhyrje në Ukrainë dhe për vendosjen e një udhëheqjeje që, siç pretendon Rusia, vepron kundër interesave të vetë popullit ukrainas/ mxh.
