Last Updated on 10/09/2026 by EL
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së reagoi pasi Prokuroria në Gjykatën Speciale të Hagës kërkoi dënim me 6 vite burg për Hashim Thaçin, 3 vite për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe 9 muaj burg për Hajredin Kuçin.
Ajo deklaroi se kërkesat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk mund ta fshehin dështimin e një prokurorie të njëanshme.
“Për ne, këto kërkesa nuk janë befasi. Ato vijnë nga e njëjta Prokurori e Specializuar, e cila gjatë gjithë këtij procesi ka ndërtuar një qasje të njëanshme ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe ka ngritur akuza mbi një material të kontestueshëm, përfshirë edhe materiale të ardhura nga Serbia”.
OVL e UÇK-së thotë se është “e vështirë të mos shtrohet pyetja nëse, përballë dështimeve të saj në proceset e zhvilluara në Hagë, Prokuroria sot po përpiqet ta arsyetojë punën e vet përmes një qasjeje edhe më ndëshkuese në rastin e pengimit të drejtësisë”. /et
