Last Updated on 07/08/2026 by EL
Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, në një intervistë për Top Channel e sheh pothuajse të pamundur kundërshtimin e ndarjes së vendit në 100 bashki, siç propozon PS përmes referendumeve lokale.
Kume kujton një vendim të Kolegjit Zgjedhor që pengoi zhvillimin e referendumeve vendore në vitin 2014, ndërsa sheh si problem për kërkesën e PD-së për mbajtjen e një referendumi kombëtar mungesën e një ligji të veçantë për këtë çështje.
Dy harta dhe dy vizione të ndryshme për ndarjen e re administrative-territoriale. Demokratët ishin të parët që hodhën idenë e referendumit. Por, a mundet që banorët e 15 bashkive që refuzojnë bashkimin me njësi fqinje më të mëdha, ta rrëzojnë hartën e PS-së përmes referendumeve lokale?
“Sipas mendimit tim, nismat që mund të realizohen në këtë drejtim janë vështirësi të mundshme, për ta shpënë deri në fund gjënë”, u shpreh Kume.
Si argument, ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, përmend precedentin e vitit 2014, ku 6 bashkive dhe 135 komunave iu pamundësua zhvillimi i referendumeve lokale.
“Kujtoj se ne atë kohë ishin 135 komuna dhe 6 bashki, të cilat bënë kërkesën në KQZ, që problemi, rindërtimi i hartës për këto njësi vendore të trajtohej në një referendum lokal, kërkesa e tyre u pranua nga KQZ, por Partia Socialiste e ankimoi vendimin me Kolegjin Zgjedhor dhe ai e hodhi poshtë këtë vendim të KQZ-së, me arsyetimin se problemi i kufijve, pra i hartës, nuk është çështje që trajtohet nga organet e qeverisjes vendore dhe për pasojë s’mund të trajtohet me referendum lokal. Edhe nëse sot bëhet e njëjta gjë, pra nëse ecet në të njëjtën rrugë, pra nga këshillat bashkiakë apo qytetarë në njësi të ndryshme vendore do bëjnë kërkesën, ajo do ngecë që në KQZ me arsyetimin e precedentit të mëparshëm”, tha ish-kreu i KQZ.
Demokratët mbështesin idenë e një referendumi kombëtar, dhe jo lokal, por mungesa e ligjit të posaçëm, nuk e bën optimist ish-kreun e KQZ-së për realizimin e tij. Fajin e sheh te politika.
“Jemi ndër vendet e pakta që nuk kemi ligj të veçantë për referendumet, ndërkohë që këtë na e kërkon Kushtetuta dhe na e kërkon edhe vullneti politik me ndryshimet që kanë bërë në Kodin Zgjedhor, por siç duket ne shkruajmë, por pak veprojmë në realizimin e atyre që shkruajmë”, tha Kume.
Ndonëse realizimi i referendumeve kombëtare vështirësohet për shkak të pengesave ligjore, kohore dhe filtrave kushtetues, precedentët e realizimit të tyre nuk mungojnë. Me votë referendare shqiptarët rrëzuan Kushtetutën e propozuar nga Sali Berisha në 1994, ndërsa tre vite më vonë zgjodhën Republikën duke refuzuar Monarkinë. Mendimi i tyre u kërkua edhe në 1998 për të vendosur për një Kushtetutë të re./ET
