Në Shqipëri ekziston një konsensus i gjerë se reforma territoriale e vitit 2014 nuk ka rezultuar funksionale. Teksa qeveria dhe opozita po shkojnë me nxitim drejt rishikimit të ri të hartës administrative, ekspertët janë të shqetësuar mbi mënyrën se si po projektohet ky ndryshim shumë i rëndësishëm, së pari për cilësinë e jetës në vend.
Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), tha se reforma e vitit 2014 dështoi kryesisht sepse motivet politike dominuan tërësisht mbi logjikën ekonomike dhe funksionale. Sot, po përballemi me të njëjtën amulli: mungon diskutimi real publik se cili model i qeverisjes vendore i përshtatet më mirë vendit tonë.
Në vend të këtij debati substancial, vëmendja është përqendruar te harta elektorale e vitit 2027 dhe në vijim. Krijimi apo shkrirja e bashkive të reja po trajtohet si një mundësi për kontroll territori, vende pune dhe ushtrim të pushtetit politik, sesa si një hartë në shërbim të drejtpërdrejtë të qytetarit.
Ky instrumentalizim i reformës gjen konfirmim të plotë edhe në qasjen akademike. Gent Kaprata, profesor i urbanistikës, argumenton se reforma duhet parë me patjetër si një reformë qeverisëse dhe administrative, sesa thjesht si një ndarje fizike e territorit.
Sipas tij, problemi kryesor nuk është thjesht se ku do të vendosen kufijtë e rinj në letër, por se çfarë funksionesh, kompetencash, burimesh dhe përgjegjësish do të ketë realisht në duar niveli vendor.
Z. Kaprata thekson se numri i bashkive nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë pikënisja e reformës, por përfundimi i saj logjik, i cili duhet të dalë vetvetiu pas një analize të thellë të funksioneve që çdo nivel qeverisjeje duhet të kryejë.
Një nga plagët më të mëdha të sistemit aktual, e dëshmuar nga të dyja anët, është centralizimi mbytës nga Tirana zyrtare. Analiza e ISP-së nxjerr në dritë një realitet të hidhur: de facto, shumica e shërbimeve për të cilat votohet një kryetar bashkie – përfshirë taksat, territorin, arsimin, shëndetësinë, mjedisin, turizmin dhe rendin publik – janë kompetencë e qeverisë qendrore.
Nga Konispoli në Vermosh, çdo figurë kyçe publike, që nga mësuesi dhe mjeku e deri te tatimori e gjyqtari, emërohet nga Tirana. Kryetarët e bashkive shpesh funksionojnë më shumë si komisarë të deleguar politikë të kryeqytetit sesa si administratorë lokalë, pasi qeveria qendrore e trajton hapësirën lokale si një zonë të lirë nën kontrollin e saj absolut.
Për të zgjidhur këtë nyjë gordiane, profesor Kaprata propozon një ndryshim rrënjësor të arkitekturës qeverisëse, duke sugjeruar një model me tri shkallë. Së pari, ai mendon se numri i njësive vendore duhet të rritet, në mënyrë që pushteti vendor dhe përfaqësimi demokratik të afrohen më shumë me qytetarin.
Së dyti, nevojiten bashki me kapacitete reale qeverisëse. Së treti, reforma duhet të ndërtojë një qeverisje rajonale funksionale. Rajonet duhet të shërbejnë si nivel koordinimi strategjik për çështje që kërkojnë shkallë më të gjerë bashkëpunimi – si transporti, menaxhimi i mjedisit, infrastruktura madhore dhe balancimi i pabarazive territoriale – pa u kthyer në një burokraci shtesë.
Ajo që e bën situatën aktuale edhe më alarmante është nxitimi dhe mungesa e bazës shkencore.
Siç vërehet nga të dhënat e ISP-së, ndryshe nga viti 2014, këtë herë mungon ekspertiza e mirëfilltë ndërkombëtare dhe ajo vendore. Ndërsa në vendet europiane, reforma të tilla kërkojnë nga dy deri në pesë vjet debat të hapur, në Shqipëri palët politike po tentojnë ta mbyllin procesin brenda pesë muajsh, nën presionin e egër të kohës.
Ky nxitim tregon se produkti final do të jetë i brishtë. Ekspertët kujtojnë se vende si Kroacia, Sllovenia apo Maqedonia e Veriut kanë përdorur kritere dhe standarde të qëndrueshme e të matshme, si dhe vendime organike kushtetuese për ndarjen e përgjegjësive – hapa që Shqipëria po i shmang në emër të një kompromisi politik afatshkurtër që kënaq partitë, por dëmton qytetarët./monitor-a.d
