Last Updated on 29/11/2026 by EL
Zgjedhjet e përgjithshme të së dielës në Spanjë po shoqërohen me një fluks të jashtëzakonshëm votuesish, duke arritur shifrat më të larta të pjesëmarrjes në historinë demokratike të vendit. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme spanjolle, deri në orën 18:00 kanë votuar 68.15% e qytetarëve me të drejtë vote, plot 15 pikë përqindjeje më shumë se në zgjedhjet e vitit 2023, kur në të njëjtën orë kishin votuar vetëm 53.13%.
Në rang rajonal, Madridi kryeson me rritjen më të fortë, ku pjesëmarrja u ngjit me pothuajse 19 pikë, duke arritur në 72.62% deri në orën 18:00. Pas kryeqytetit renditet Katalonja me 17.76 pikë më shumë, Aragona me 16.38 pikë, ndërsa Vendi Bask dhe Navarra kanë shënuar secili 16 pikë rritje krahasuar me vitin 2023. Një interesim akoma më i lartë është vërejtur në qytetet autonome të Ceutës dhe Melillës, ku pjesëmarrja ka kaluar përkatësisht 22 dhe 23 pikë mbi shifrat e zgjedhjeve të kaluara.
Edhe të dhënat sipas provincave tregojnë të njëjtën prirje. Álava ka pasur një rritje prej 19.4 pikësh, e ndjekur nga Madridi me 19 pikë, Barcelona me 18.23 pikë dhe Zaragoza me 17.38 pikë më shumë se tre vite më parë. Një rritje e ndjeshme është regjistruar edhe në tre provincat e tjera katalanase: Tarragona arriti në 64.9% (+15.6 pikë), Girona në 64.19% (rreth +18 pikë) dhe Lleida në 62% (+17 pikë).
Sinjalet e para për këtë pjesëmarrje rekord u dhanë që në orën 14:00, kur kishin votuar 45.74% e zgjedhësve, ose saktësisht 16,448,547 qytetarë. Kjo shifër e mesditës ishte 5.26 pikë më e lartë se në vitin 2023, e ndikuar sidomos nga rritja prej mbi 7 pikësh në katër zonat zgjedhore të Katalonjës, në tre zona të Vendit Bask, në Navarrë, si dhe në provincat e Zaragozës dhe Guadalajarës./et
