Gjermania ka regjistruar një rekord të ri historik të temperaturës, pasi termometri shënoi paraprakisht 41,3 gradë Celsius, njoftoi sot Shërbimi Gjerman i Motit (DWD).
Temperatura u mat në orën 17:00 në qytetin e Sarbrucken, në landin perëndimor të Sarlandit, ndërsa vala ekstreme e të nxehtit, që ka përfshirë Evropën Perëndimore, po godet edhe Gjermaninë.
Nëse konfirmohet zyrtarisht, kjo temperaturë tejkalon rekordin kombëtar prej 41,2 gradësh Celsius, të regjistruar më 25 korrik 2019.
Sipas DWD-së, gjatë dites së sotme, u thyen disa rekorde të tjera të temperaturës. Mes tyre ishte edhe rekordi për muajin qershor, pasi u tejkalua temperatura prej 39,6 gradësh Celsius, e matur më 30 qershor 2019 në qytetin Bernburg.
Po ashtu, u thye edhe rekordi absolut i landit të Sarlandit, ku temperatura arriti në 41,3 gradë Celsius, duke kaluar maksimumin e mëparshëm prej 40,2 gradësh, të regjistruar në korrik të vitit 2019.
Temperatura ekstreme u regjistrua edhe në zona të tjera të vendit. Në Bad Kreuznach, në landin e Rheinland-Pfalzit, dhe në Kitzingen të Bavarisë, termometri arriti në 40,7 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve, vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës, me temperatura që pritet të arrijnë ose të kalojnë 40 gradë Celsius, në pjesë të tjera të Gjermanisë, përfshirë edhe Berlinin.
Shkencëtarët paralajmërojnë se fenomene të tilla ekstreme, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, në Gjermani si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Të dhënat zyrtare, tregojnë se numri i ditëve me temperatura mbi 30 gradë Celsius është rritur ndjeshëm vitet e fundit.
I nxehti ekstrem, ka shkaktuar edhe ndërprerje të aktiviteteve publike dhe ka detyruar autoritetet të marrin masa parandaluese.
Dita Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e planifikuar të mbahej nesër në qytetin Freiburg, u shty për të mos rënduar më tej shërbimet e emergjencës, të angazhuara në përballimin e pasojave të valës së të nxehtit.
Gjithashtu, kupola prej xhami dhe tarraca panoramike e ndërtesës së Rajhshtagut në Berlin do të qëndrojnë të mbyllura, gjatë gjithë fundjavës, për shkak të temperaturave të larta./mxh
