Mund të kishte qenë shumë më keq. Në prill 2025, ndërsa presidenti Donald Trump nisi luftën e tij tregtare, investitorët dhe shumë ekonomistë u përgatitën për një recesion të fortë global.
Në fund, GDP-ja botërore ka të ngjarë të rritet me rreth 3% për vitin 2025, njësoj si në 2024-n. Papunësia mbetet e ulët pothuajse kudo. Tregjet e aksioneve kanë regjistruar edhe një vit tjetër me fitime të kënaqshme. Vetëm inflacioni mbetet realisht shqetësim. Në të gjithë OECD-në, ai vazhdon të jetë mbi objektivin 2% të bankave qendrore.
Kjo performancë e përgjithshme fsheh dallime të mëdha. Prandaj, për të pestin vit radhazi, The Economist ka identifikuar “ekonominë e vitit”. Janë përmbledhur të dhëna për pesë tregues—inflacionin, “shtrirjen e inflacionit”, GDP-në, punësimin dhe performancën e tregut të aksioneve—për 36 vende kryesisht të pasura.
Vendet janë renditur sipas rezultateve në secilin tregues, duke krijuar një pikëzim të përgjithshëm të suksesit ekonomik në 2025. Tabela më poshtë paraqet renditjen.
Lajmet e mira vijnë sërish nga Europa Jugore. Pas fitores së Spanjës në vitin 2024, Portugalia është ekonomia me performancën më të mirë këtë herë. Në 2025 ajo ka kombinuar rritje të fortë të GDP-së, inflacion të ulët dhe një treg aksionesh me gjallëri.
Edhe anëtarë të tjerë të Eurozonës që patën vështirësi në vitet 2010, përfshirë Greqinë (fituesja në 2022 dhe 2023) dhe Spanjën, renditen pranë majës. Gjetkë, Izraeli ka vijuar rimëkëmbjen e fortë pas kaosit të 2023-it, ndërsa Irlanda e humb me pak vendin e parë. Kolumbia ka përfituar si nga rritja e fortë ekonomike, ashtu edhe nga një treg aksionesh në lulëzim.
Në fund të renditjes gjenden kryesisht vende të Europës Veriore: Estonia, Finlanda dhe Sllovakia. Gjermania ka ecur pak më mirë se në vitet e mëparshme, por sërish dobët, e tërhequr poshtë nga një treg pune i dobët.
Britania ka pasur një vit po aq “mediokër”. (Franca, pavarësisht kaosit politik, shënon rezultate mjaft të mira.) Përtej Atlantikut, SHBA-ja renditet vetëm në mes, dhe madje del më keq se Italia. Tregu i punës është i fortë, por jo i jashtëzakonshëm. Inflacioni relativisht i lartë e ul pikëzimin e përgjithshëm.
Në fakt, treguesi i parë është inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e ushqimit dhe energjisë për shkak të paqëndrueshmërisë së tyre. Një vend renditet më mirë sa më afër të jetë norma vjetore me 2%, objektivi tipik i bankierëve qendrorë. Inflacioni i Turqisë është shumë më i lartë se kudo tjetër, për shkak të politikave ekonomike të çmendura të presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Estonia është e dyta nga fundi, me inflacion bazë gati 7% në tremujorin e tretë të 2025-ës, ndërsa vazhdon rimëkëmbjen nga shoku energjetik i 2022-it. Shumë vende të tjera kanë vështirësitë e tyre. Inflacioni bazë i Britanisë ishte më i ulët se fundvitin e vitit 2024. Por me 4% ai mbetet shumë mbi atë që Banka e Anglisë do të donte të shihte.
Në disa vende inflacioni bazë është shumë i ulët. Kjo përfshin Suedinë, ku ai është pothuajse inekzistent. Për shumë konsumatorë, të lodhur pas katër vitesh rritjeje të shpejtë të çmimeve, kjo mund të tingëllojë një mrekulli. Megjithatë, në një skenar të tillë ekonomistët shqetësohen për deflacionin, i cili dekurajon shpenzimet dhe rrit barrën reale të borxheve.
Të kesh pak inflacion është më mirë sesa të mos kesh fare. Një grup vendesh të tjera, përfshirë Finlandën dhe Zvicrën, kanë lexime po aq ‘anemike’. Edhe pse Japonia ka inflacion më të lartë se në vitet 2010, ai nuk i afrohet aspak mbinxehjes që shihet gjetkë.
“Shtrirja e inflacionit” tregon një histori të ngjashme. Ky tregues ndjek pjesën e artikujve në shportën e konsumit ku çmimet rriten me më shumë se 2% në vit. Në disa vende ai është rritur ndjeshëm, përfshirë SHBA-në, ndoshta si pasojë e një politike fiskale tepër agresive. Edhe sot, çmimet e më shumë se 85% të artikujve në shportën e konsumit të australianëve po rriten me mbi 2% në vit.
Po rritja dhe punësimi, treguesit e tjerë ekonomikë që u interesojnë thellësisht votuesve? Portugalia spikat. Turizmi ka lulëzuar, ndërsa shumë të huaj të pasur po zhvendosen në vend për të përfituar nga normat e ulëta tatimore.
Rritja e GDP-së është dukshëm mbi mesataren europiane. Republika Çeke shënon rritje të mira si në prodhim ashtu edhe në punësim, duke u ngjitur në të tretën e sipërme të renditjes sonë. Në të kundërt, Koreja e Jugut ka humbur vende pune. Norvegjia, e ekspozuar fort ndaj mallrave bazë dhe transportit detar, ka vuajtur nga ngadalësimi i tregtisë globale.
Në tremujorin e tretë të këtij viti, Irlanda regjistroi rritje ekonomike mbi 12% nga viti në vit, një shifër spektakolare, por gjithashtu mashtruese. Shumë kompani të mëdha shumëkombëshe që regjistrojnë fitimet në vend shtrembërojnë llogaritë kombëtare. Prandaj ekonomistët irlandezë preferojnë të përdorin “kërkesën totale të brendshme të modifikuar”, një tregues i ngjashëm i prodhuar nga zyra kombëtare e statistikave, që heq shumicën e këtyre shtrembërimeve. Edhe ne kemi vepruar njësoj.
Tregjet e aksioneve përmbyllin vlerësimin e The Economist. Mund të pritej që aksionet amerikane të ishin fituese absolute. Megjithatë, rritja e çmimeve të aksioneve në SHBA ka qenë thjesht e kënaqshme.
Vlerësimet e larta të tregut pasqyrojnë kryesisht sukseset e viteve të mëparshme. Edhe Franca ka pasur një performancë mesatare, me aksionet e kompanisë së saj më të vlefshme, LVMH, që kanë qëndruar në vendnumëro.

Në këtë tregues, askund nuk ka performuar më keq se Danimarka. Çmimi i aksioneve të Novo Nordisk, prodhues i Ozempic, ka rënë me 60%, pasi kompania ka humbur avantazhin në tregun e barnave për humbje peshe.
Një rikthim
Për fitime të zjarrta në tregjet e aksioneve, investitorët duhet të shohin diku tjetër. Edhe pse kompanitë çeke dhe koreano-jugore kanë performuar mirë në 2025, askund nuk ka pasur performancë më të mirë (në terma të monedhës vendase) se Izraeli. Gjatë vitit të kaluar, çmimi i aksioneve të kompanisë më të vlefshme të listuar në vend, Bank Leumi, është rritur me rreth 70%.
Edhe investitorët portugezë kanë përfituar, me tregun e aksioneve të vendit që është rritur me më shumë se 20% në 2025. Sipas përllogaritjeve, tregu i aksioneve i vendit që u emërua si “ekonomia e vitit” do të rritet mesatarisht me 20% në vitin pasues./mxh
