Last Updated on 27/11/2026 by EL
Reshjet e shiut gjatë natës dhe paradites së të premtes kanë shkaktuar problematika në disa zona të Qarkut të Elbasanit, kryesisht në territorin e Librazhdit.
Situata paraqitet më problematike në Kthesat e Murrashit dhe të Dragostunjës, si dhe në zonat e Hotolishtit dhe Xhyrës, ku janë evidentuar përmbytje.
Pasojat e reshjeve janë ndjerë edhe në infrastrukturën sportive. Fusha e futbollit ku ekipi i Sopotit të Librazhdit zhvillon ndeshjet zyrtare është mbuluar nga uji, duke vështirësuar zhvillimin e stërvitjeve dhe ndeshjeve të ardhshme.
Ndërkohë, problematika janë evidentuar edhe në furnizimin me energji elektrike. Që prej mbrëmjes së të enjtes, disa fshatra në bashkitë Elbasan dhe Librazhd vijojnë të kenë ndërprerje të energjisë elektrike.
Pavarësisht këtyre problematikave, situata në pjesën tjetër të qarkut paraqitet përgjithësisht normale, pa raportime për emergjenca të tjera serioze.
